Në ambientet e Muzeut në Vlorë, u festua 15-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës

Lajme

Në ambientet e Muzeut në Vlorë, u festua 15-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës

Më: 18 shkurt 2023 Në ora: 14:51
Profesori Enver Bytyçi

Në 17 shkurt 2023, në ambientet e Muzeut Kosova në Vlorë, Instituti i Studimeve Politike “Ismail Qemal Vlora, kremtoi ditëlindjen e pesëmbëdhjetë të Republikës së Kosovës, 15- vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.

Në këtë veprimtari, ishin të pranishëm intelektualë të Vlorës, personalitete të ndryshme të jetës politike e shoqërore të qytetit, deputetë, kandidati i PD për bashkinë e Vlorës, z. Hysni Sharra, si edhe të ftuar nga Kosova e Tirana.

Në këtë aktivitet, kumtesën kryesore për rrugëtimin e shtetit tonë vëlla e mbajti Prof.Dr. Enver Bytyçi, i cili duke sjellë në kujtesën e të pranishmëve aktin sublim të shpalljes së shtetit të pavarur të Kosovës, kujtoi rrugëtimin deri në mëvetësi, si kurorëzimi i një rrugëtimi të dhimbshëm lotësh e gjaku për popullin e Kosovës.

Image
Pamje nga vendi i ngjarjes

Në fjalën e tij ai kujtoi sakrificën e pashembullt dhe qëndresën e pareshtur të brezave, e cila i parapriu jetësimit të ëndrrës për liri e demokraci; kujtoi presidentin Historik të Kosovës dr. Ibrahim Rugovën, i cili puinoi pareshtur për të marrë mbështetjen dhe respektin e gjithë botës demokratike; kujtoi të gjithë djemtë e vajzat, burrat e gratë kosovare, të cilat, të rreshtuara në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, sakrifikuan jetën e tyre, kujtoi komandantin historik të kësaj ushtrie, Adem Jasharin, i cili i priu rezistencës për liri.

Në këto 15 vite Kosova është zhvilluar e forcuar si shtet i ri; ka dëshmuar kulturë demokratike në organizimin e jetës politike dhe funksionimin e institucioneve, i ka ndërtuar e zhvilluar kapacitetet e saj shtetërore dhe ka krijuar bazë solide për funksionim të mëtejshëm. Deri më sot Kosova njihet nga 115 shtete, ndërkohë që, në rast se Kosovën do ta njihnin edhe disa shtete të BE dhe NATO-s, integrimi i saj në këto dy institucione do të ishte shumë i shpejtë.

Image
Pamje nga vendi i ngjarjes

Prof. Dr. Enver Bytyçi falenderoi miqtë e aleatët e përhershëm e strategjikë, SHBA e BE, të cilët me ndërhyrjen e tyre bënë që Kosova të ishte e lirë dhe t’i jepej fund gjenocidit serb dhe që kanë qenë përherë në krah të populli kosovar, kur luftonte për lirinë, kur vendi u çlirua dhe filloi jetën demokratike në tokën e lirë.

Më pas mbajtën kumtesa Prof. Dr. Kaliopi Naska, e cila duke sjellë dokumente e fakte historike, ka folur për kontributin e parlamentit të parë shqiptar në çështjen e Kosovës.

Ish- deputeti dhe ish- kryetari i bashkisë së Vlorës, z. Gëzim Zilja mbajti një kumtesë për kujtesën historike nëpërmjet këngëve e krijimeve popullore.

Poeti vlonjat Eqerem Canaj recitoi një poezi të tijën për Kosovën.

Surprizë ishte interpretimi i një kënge të improvizuar aty për aty për Kosovën dhe heroizmin e saj nga këngëtarë e dashamirës të polifonisë labe, të pranishëm në sallë.

Të pranishmit vizituan ambientet e Muzeut Kosova, i cili tashmë po merr pamjen e plotë, i pasuruar me materiale, piktura, fotografi, libra e dokumente me vlerë të madhe arshivore e historike.

Por ajo që ishte më e rëndësishme nga ky aktivitet ishte që përvjetorët si ky janë mundësi e mirë për të reflektuar mbi rrugëtimin e gjatë e të dhimbshëm, por krenar të Kosovës e Kombit shqiptar, por edhe fakti që ditëlindje të tilla na japin nxitjen që, duke punuar çdo ditë, ta zhvillojmë më tej demokracinë, ëndrrën tonë europiane për zhvillim e përparim.

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat