Media serbe citon një zyrtar të BE-së: Nëse pranohet propozimi evropian, automatikisht pranohet edhe Asociacioni

Lajme

Media serbe citon një zyrtar të BE-së: Nëse pranohet propozimi evropian, automatikisht pranohet edhe Asociacioni

Më: 24 shkurt 2023 Në ora: 12:50
Dialogu në Bruksel

“Asociacioni është pjesë e marrëveshjes në mes të Prishtinës dhe Beogradit dhe me pranimin e propozimit evropian për zgjidhjen e çështjes së Kosovës pranohet automatikisht edhe Asociacioni”, kështu ka thënë një zyrtar i lartë i BE-së i cili ka dashur të mbetet anonim, shkruan N1.

Po ashtu, ai ka thënë se pranimi i atij propozimi do të thotë njohje “de facto” e Kosovës.

Nga Brukseli thonë se nga të dyja palët, Kosova dhe Serbia, ka sinjale të forta se propozimi i BE-së do të pranohet si në deklarata publike ashtu edhe në biseda me zyrtarë të BE-së.

Siç shkruan media, pritet që të hënën të pranohet zyrtarisht propozimi.

Siç ka thënë ky zyrtar i lartë i BE-së, nuk do të diskutohet për përmbajtjen e propozimit, por vetëm për zbatimin e tij, i cili është përcaktuar në një aneks të veçantë.

Ai shtoi se është një marrëveshje bazë, e cila është aq gjithëpërfshirëse, saqë e afron atë me të ashtuquajturën “marrëveshje gjithëpërfshirëse juridikisht obligative për normalizimin e marrëdhënieve mes dy palëve”.

“Pranimi i propozimit evropian është i rëndësishëm sepse do të çojë në një ndryshim në të gjithë disponimin në rajon, do të çojë në projekte dhe investime të reja, do të rrisë ndihmën financiare dhe do të çojë në siguri dhe parashikueshmëri më të madhe", u tha gazetarëve një zyrtar i lartë i BE-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat