Ministri serb i mbrojtjes thotë se Vuçiq nuk do ta njohë Kosovën

Lajme

Ministri serb i mbrojtjes thotë se Vuçiq nuk do ta njohë Kosovën

Më: 24 shkurt 2023 Në ora: 13:52
Millosh Vuçeviq

I pyetur për të komentuar raportimet e mediave se presidenti serb Aleksandar Vuçiq do të nënshkruajë një dokument me çka de facto do të njohë pavarësinë e Kosovës, ministri serb i mbrojtjes, Millosh Vuçeviq thotë se ka 10 vjet që dëgjon se Aleksandar Vuçiq do të njohë, siç është shprehur ai, “të ashtuquajturën” Kosovë.

“As nuk e ka bërë dhe as nuk do ta bëjë. Presidenti ynë dy ditë më parë ka nënvizuar qartë se mbetet me “vijat e kuqe” e që janë se nuk ka njohje të pavarësisë së Kosovës, se nuk ka karrige në OKB për Kosovën, dhe se duhet të flasim dhe të kërkojmë një zgjidhje kompromisi, kjo nuk do të thotë se ne po kapitullojmë, duhet të shohim se çfarë mund të përfitojmë nga gjithçka, pa qenë një ishull të izoluar apo një terren stërvitor për ndëshkim, sepse ata nuk mund t’i ndëshkojnë të tjerët, kështu që Serbia do të ishte një objektiv ideal për ta”, ka thënë Vuçeviq.

“Ne nuk duhet të kapemi pas çdo grepi që na ofrohet, por të përpiqemi të shmangim skenarin që përjetuam në vitet e nëntëdhjeta dhe të mendojmë për të ardhmen, të forcohemi ekonomikisht, por edhe të bëhemi gati në aspektin e sigurisë dhe për sfidat e reja që na presin. Ky është momenti kur bukvalisht mbijetojmë dhe e shpëtojmë vendin”, ka pretenduar Vuçeviq.

I pyetur nëse pas bisedimeve në Bruksel më 27 shkurt, Serbia do të duhet të ndryshojë qëndrimin e saj për çështjen e luftës në Ukrainë, ministri i serb ka thënë: “Do të shohim”.

“Do të shohim. Së pari duhet të shohim se si do të zhvillohet situata. Ka shumë aspekte që na prekin, por në radhë të parë janë interesat tona”, ka thënë Vuçeviq në një intervistë për televizionin pro-qeveritar serb “TV Përva”, duke shtuar se “nuk i ka zili presidentit serb në këtë drejtim” i cili do të jetë në Bruksel të hënën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat