Petkoviq i reagon Bislimit: Asociacioni do të formohet sipas asaj që është nënshkruar në Bruksel

Lajme

Petkoviq i reagon Bislimit: Asociacioni do të formohet sipas asaj që është nënshkruar në Bruksel

Më: 28 shkurt 2023 Në ora: 14:04
Petar Petkoviq

Drejtori i së ashtuquajturës Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar ndaj deklaratave të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, ku ky i fundit tha që Asociacioni nuk do të jetë një etnik dhe nuk nënkupton autonomi territoriale, por vetëm organizatë joqeveritare.

Petkoviq, është kundërpërgjigjur duke thënë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk do të jetë organizatë joqeveritare, por që sipas tij, do të formohet sipas asaj që është nënshkruar në Bruksel.

“Sepse, po të ishte kështu, Prishtina nuk do të kishte bërë të gjitha forcat për vite me radhë për të përmbushur obligimet që dalin nga Marrëveshja e Parë e Brukselit”, ka thënë ai në një komunikatë për mediat serbe.

Tutje, Petkoviq, ka shtuar se sa më shumë që Prishtina reziston dhe krijon kushte, sipas tij, aq më e fortë do të jetë vendosshmëria e serbëve për të zgjidhur përfundimisht këto çështje, të cilat ai i ka quajtur të rëndësishme.

Ndryshe, Bislimi ka thënë se Kosova ka treguar konstruktivitet në procesin e dialogut duke theksuar se janë pajtuar me propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Ndërkaq, kryeministri i vendit, Albin Kurti ka potencuar se gjatë takimit të së hënës kanë rënë dakord të dyja palët për propozimit e BE-së. Lidhur me këtë propozim, Kurti, ka deklaruar se ka qenë i gatshëm për të nënshkruar zyrtarisht marrëveshjen, por që presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq nuk ka pranuar.

Për takimet e radhës ndërmjet Kurtit dhe Vuçiq, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell ka paralajmëruar se do të mbahen në muajin mars.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat