Marrëveshja për lëvizjen me letërnjoftime, Von Cramon i reagon Dodikut

Lajme

Marrëveshja për lëvizjen me letërnjoftime, Von Cramon i reagon Dodikut

Më: 1 mars 2023 Në ora: 15:52
Dodik, Von Cramon

Deputetët e Kuvendit të Kosovës javën e kaluar kanë miratuar marrëveshjen për lëvizjen e lirë me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor, në të cilën marrëveshje përfshihet edhe lëvizja me letërnjoftime me Bosnjë dhe Hercegovinën. Megjithatë, ky proces po bllokohet nga kreu i “Republika Srpska”, Milorad Dodik.

Ndaj tij ka reaguar ashpër të mërkurën raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e cila i ka bërë thirrje Dodikut që ta mbajë fjalën dhe ta ratifikojë marrëveshjen.

“Procesi i Berlinit është për t’i bërë njerëzit të lëvizin lirshëm, të punojnë dhe të tregtojnë në Ballkanin Perëndimor. Bllokimi i ratifikimit dhe pengimi i qytetarëve të Kosovës për të udhëtuar lirshëm është i papranueshëm. I bëj thirrje Milorad Dodikut që ta mbajë fjalën dhe ta ratifikojë!”, ka shkruar Von Cramon në Twitter.

Tutje, ajo ka thënë se bllokada të tilla e pengojnë rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Ndryshe, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor më 3 nëntor 2022 në Berlin kanë nënshkruar tri marrëveshjet e mobilitetit.

Ato parashikojnë lëvizjen e lirë të njerëzve me karta identiteti, njohjen e diplomave dhe kualifikimeve për tri profesione: mjekët, arkitektët dhe dentistët.

Nënshkrimi është bërë nga kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilët në Samitin e Berlinit konsiderohen si të barabartë.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz kishte lavdëruar arritjen e tri marrëveshjeve të mobilitetit, që është nënshkruar në kuadër të samitit, duke i quajtur ato “tre hapa të mëdhenj” dhe “të guximshëm” që do t’ua bëjnë komunikimin më të lehtë njerëzve në rajon.

Procesi i Berlinit është iniciuar nga kancelarja Angela Merkel, në vitin 2014. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat