Vuçiq vizaton në dërrasë të zezë dhe gënjen për rritjen ekonomike në Serbi dhe pagën mesatare

Lajme

Vuçiq vizaton në dërrasë të zezë dhe gënjen për rritjen ekonomike në Serbi dhe pagën mesatare

Më: 2 mars 2023 Në ora: 07:03
Aleksander Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të martën ka dalë i ftuar në shërbimin publik me rastin e negociatave në Bruksel, ku mori pjesë një ditë më parë. Mirëpo, edhe kësaj radhe ai nuk e ka humbur rastin të flasë për “sukseset” ekonomike të Serbisë, të cilat, siç ka deklaruar, janë “spektakolare”, si dhe ka vizatuar në “dërrasën e shtrenjtë që i kanë dhënë kinezët”.

Kësaj radhe ka folur për rritjen e pagave mesatare në Serbi dhe rajon, por me atë rast ka paraqitur disa të dhëna të pasakta dhe për disa ka heshtur.

Përkatësisht, Vuçiq ka shkruar në tabelë të dhënat për pagat mesatare në rajon në vitin 2012 dhe 2022.

Në atë kohë, sipas fjalëve të tij, Serbia kishte një pagë mesatare prej 329 deri në 366 euro, ndërsa në BeH në atë kohë paga mesatare ishte 378 euro, në Maqedoninë e Veriut 305 euro, në Mal të Zi 495 euro dhe në Kroaci 748 euro.

Më pas vijoi krahasimi me situatën e sotme, pra të dhënat zyrtare për pagat mesatare për dhjetor 2022.

Vuçiq tha se në dhjetor paga mesatare në Serbi ishte 718 euro, në BeH 608 euro, në Maqedoninë e Veriut 558 dhe në Mal të Zi 726 euro.

Vuçiq e ka arsyetuar faktin se sipas këtyre të dhënave Mali i Zi është mbi Serbinë duke thënë se tashmë situata është ndryshe, pasi në janar është rritur paga minimale, si dhe pagat në sektorin publik dhe në ushtri. Ai po ashtu ka theksuar se në muajin mars paga mesatare në Serbi do të jetë 750 euro.

“Tani jemi të parët për herë të parë, për shkak të këtyre rritjeve, ndonëse më parë kemi ndarë vendin e tretë dhe të katërt”, tha presidenti serb, shkruan Nova.

Megjithatë, ajo që bie në sy është fakti se presidenti serb nuk ka arritur të shkruajë dhe të marrë parasysh pagën mesatare për dhjetor 2022 në Kroaci, e cila ishte 1045 euro.

Prandaj, edhe me rritjen e pagave që u bë në janar, Serbia nuk do të jetë e para në rajon, pasi vetë presidenti shpall pagën mesatare prej 1000 euro vetëm në vitin 2025.

Nga 1 janari i këtij viti, paga minimale në Serbi është rritur në pak më shumë se 40 mijë dinarë, ose 341 euro.

Megjithatë, edhe pse Serbia nuk ka pagën minimale më të ulët në rajon, ajo është larg nga më e larta.

Qytetarët e Maqedonisë, të cilët marrin 290 euro, kanë paga minimale më të ulëta se Serbia, si dhe qytetarët e Republikës Srpska dhe të Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës, paga minimale e të cilëve është përkatësisht 355 dhe 303 euro.

Në Mal të Zi paga minimale është 450 euro, ndërsa në Kroaci 560 euro. Në Kosovë paga minimale është 250 euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat