Petkoviq i reagon Bislimit: Serbia kurrë s’do ta njohë Kosovën

Lajme

Petkoviq i reagon Bislimit: Serbia kurrë s’do ta njohë Kosovën

Më: 5 mars 2023 Në ora: 16:34
Petar Petkoviq

Kryenegociatori serb, Petar Petkoviq i ka reaguar zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, i cili tha se “Serbia është angazhuar praktikisht për të njohur Kosovën dhe ngadalë po kupton se është më e mira edhe për të”.

Petkoviq tha se Bislimi “gabimisht dhe me keqdashje po e interpreton gatishmërinë e Beogradit për dialog si gatishmëri për ta njohur Kosovën”.

“Beogradi është i përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën dhe krijimin e një mjedisi të qëndrueshëm për zhvillimin ekonomik të të gjithë rajonit, por që kurrë nuk do ta njohë Kosovën dhe aktin e saj të njëanshëm dhe të paligjshëm të shkëputjes. Dhe kurrë nuk do të pajtohet me anëtarësimin e të ashtuquajturës ‘Kosovë’ në OKB”, tha ai.

Sipas tij, “Bislimi po përpiqet të përdorë gënjeshtra për të nxitur ndryshimin e qëndrimit të vendeve që nuk e njohin Kosovën”.

Petkoviq përmendi Asociacionin, formimi i të cilit tha se duhet të jetë “preokupimi i vetëm” i Bislimit.

“Vetë fakti se, duke kërkuar ndryshim të qëndrimit të disa shteteve jonjohëse, Kurti dhe Bislimi po keqpërdorin dialogun për normalizimin e marrëdhënieve për të destabilizuar më tej rajonin, por edhe për të treguar se sa keqdashës dhe të pasinqertë synimet janë”, ka përfunduar Petkoviq në një deklaratë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat