Vuçiq: Nuk planifikoj të nënshkruaj asgjë në takim me Kurtin

Lajme

Vuçiq: Nuk planifikoj të nënshkruaj asgjë në takim me Kurtin

Më: 16 mars 2023 Në ora: 19:15
Aleksandar Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se “nuk planifikon të nënshkruajë asgjë” në takimin e 18 marsit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Në një fjalim drejtuar kombit të enjten pasdite, Vuçiq tha se “nuk ka ende një draft të asaj që do Bashkimi Evropian” në negociatat për normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë.

“Ne e kemi dorëzuar propozimin tonë, shqiptarët të tyrin. Nuk kemi marrë ende asgjë nga Brukseli dhe ai dokument ende nuk ekziston”, tha Vuçiq.

Kurti dhe Vuçiq, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të BE-së, do të takohen të shtunën në Ohër të Maqedonisë së Veriut, për të diskutuar zbatimin e një plani të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

Në një takim në Bruksel, më 27 shkurt, ata e pranuan në parim përmbajtjen e këtij plani që njihet edhe si Marrëveshje drejt normalizimit.

Zyrtarë të BE-së, që ndërmjetësojnë dialogun, paralajmëruan se tash pasojnë diskutimet për aneksin e zbatimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat