Paterica e Vuçiqit po i bllokon qytetarët e Bosnjës që të udhëtojnë me letërnjoftime shkaku i Kosovës

Lajme

Paterica e Vuçiqit po i bllokon qytetarët e Bosnjës që të udhëtojnë me letërnjoftime shkaku i Kosovës

Më: 16 mars 2023 Në ora: 21:30
Milorad Dodik

Më 3 nëntor u nënshkruan tri marrëveshje në kuadër të Procesit të Berlinit, ku një prej tyre është edhe udhëtimi me letërnjoftime nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ndonëse Bosnjë-Hercegovina ka marrë detyrime për të nisur procesin që do të mundësonte udhëtimin me letërnjoftime, Milorad Dodik, ka paralajmëruar bllokimin e kësaj, shkaku i Kosovës, shkruan “Dnevni Avaz”.

“Në fund të vitit të kaluar në Banja Llukë erdhi emisari gjerman Sarrazin, që kërkoi në përgatitje për atë Procesin e Berlinit ne të pranojmë, jo të pranojmë Kosovën, por të pranojmë që ata mund të vinë me letërnjoftime në Bosnjë e Hercegovinë, që të mos ketë nevojë për viza apo ndonjë gjë tjetër. Por, nuk është kjo ndonjë gjë tjetër pos një lloj njohje”, tha Dodik para disa ditëve.

Në të vërtetë, deri më sot vetëm në institucione të Bosnjë-Hercegovinës nuk është ratifikuar asgjë.

Instituti Shqiptar për Bashkëpunim e Zhvillim (CDI Albania) ka publikuar një grafikë se ku ka arritur ratifikimi i marrëveshjeve që duhet të bëhen më së largu 18 muaj pasi janë nënshkruar në Berlin. Nga gjashtë shtetet që kanë marrë pjesë në nënshkrimin më 3 nëntor, vetëm Bosnjë-Hercegovina, nuk ka ratifikuar asgjë.

Kosova e Shqipëria kanë ratifikuar të tri marrëveshjet në të gjitha institucionet, ndërsa Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia i kanë kaluar nëpër qeveri e pritet të ratifikohen edhe nëpër parlamentet e tyre. Bosnjë-Hercegovina nuk e ka kaluar në asnjë instancë, as në Qeveri e as në Parlament. Ministrat e Republika Serbe po kundërshtojnë.

Përfaqësuesja e Republika Serbe në Këshillin e Ministrave të Bosnjës, Borjana Krishto, është pyetur mbrëmë pas takimit se kur do të ratifikohen. Ajo është përgjigjur se nuk e di, por ka thënë se duhet pasur kujdes që “marrëveshjet të mos cenojnë sigurinë”.

“Ne kemi një numër të marrëveshjeve në procedurë, ju e dini që procedura është komplekse. Çdo gjë që del ne e vendosim në rend të ditës. Kur bëhet fjalë për këtë liberalizim në kuadër të momentit aktual politik, sigurisht duhet të kujdesemi që të nënshkruajmë marrëveshje dhe t’i ratifikojmë, por duhet kujdesur edhe që ato të mos cenojnë sigurinë, në kuptimin e lëvizjes së lirë të njerëzve”, tha Kristo.

Gazeta boshnjake “Dnevni Avaz” e vlerëson absurde që Bosnjë-Hercegovina është e vetmja ku nuk po ratifikohen marrëveshjet shkaku i Kosovës e në anën tjetër ato po ratifikohen nga Serbia. Elmedin Konakoviq, ministër i Jashtëm i Bosnjë-Hercegovinës, ka thënë se “dokumenti është në procedurë dhe se sërish do të propozohet kur të ketë pajtim politik”.

Ai thotë se nuk e kupton këtë refuzim, kur të gjitha shtetet tjera e kanë pranuar, përfshirë edhe Serbia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat