Mediat serbe: Si e hoqi Vuçiq dëmshpërblimin nga Marrëveshja e Ohrit

Lajme

Mediat serbe: Si e hoqi Vuçiq dëmshpërblimin nga Marrëveshja e Ohrit

Më: 21 mars 2023 Në ora: 21:42
Aleksander Vuçiq

Mediat e Beogradit, kanë bërë të ditur sot se për çështjen shumë të kërkuar nga Prishtina, atë të personave të zhdukur gjatë luftës, ka ndodhur një ndryshim i rëndësishëm në marrëveshjen e Ohrit.

Gazeta 'Veçernie Novosti', thekson se Vuçiç, nuk e ka marrë përsipër dëmshpërblimin mbi dëmet që Serbia i ka shkaktuar shqiptarëve, për dhunën e masakrat në kohën e Milosheviçit.

Novosti thekson se “Beogradi iu shmang kurthit për çështjen e të pagjeturve”. Një çështje që për Prishtinën është themelore e përbën një nga brengat më të mëdha të mijëra e mijëra familjeve që ende nuk kanë varrosur familjarët e tyre.

Veçernie Novosti thekson se formulari për të gjeturit është tentuar të “shtyhet me forcë” në bisedime nga Albin Kurti gjatë takimit në Ohër, por në fund nuk kaloi. Novosti e konsideronte këtë pjesë si një përpjekje për ti dhënë amnisti UÇK-së që sipas Beogradit quhen thjesht “terroristë”.

“Albin Kurtit i rrëshqiti nga duart karta që ai luante të na kërkonte dëmshpërblime lufte për konfliktin në Kosovë”, shkruan gazeta serbe.

Ndërkaq, siç shkruan Novosti, në aneksin për personat e pagjetur, është shtuar edhe problemi i serbëve të humbur gjatë luftës në Kosovë.

E Beogradi konsideron se janë pikërisht 1621 persona të zhdukur gjatë viteve 1998-1999 në Kosovë, nga të cilët 568 janë të nacionalitetit serb e të tjerë romë.

Vuçiç, i cili bën viktimën në mënyrë permanente ka thënë se në Ohër ai ishte në çdo moment përpara një kurthi, për të cilët shprehet si një lloj “heroi përrallash” se i ka shpëtuar me zgjuarsi. Duke u ofruar kështu si një personazh telenovelash turke të kohës së perandorisë osmane, ku gjithmonë heroi arrin të kuptojë i pari hiletë e kundërshtarëve.

Ne pranuam gjithçka në deklaratën që ishte gati për t'u nënshkruar, por nuk mund të përdornim termin zhdukje me forcë, sepse pjesë e një konvente të posaçme ndërkombëtare dhe më pas do të kishim detyrimin të paguanim dëmshpërblimet e luftës dhe të pranonim se jemi drejtpërdrejt përgjegjës për konfliktin”, ka thënë Vuçiç, i cituar nga Veçernie Novosti.

Beogradi ka përdorur si argument se lufta e UÇK-së është zhvilluar para pavarësisë së Kosovës, kur juridikisht vendi ishte pjesë e Serbisë, e kështu ai formacion konsiderohet si i jashtëligjshëm. E kështu duket se është pranuar edhe në marrëveshje, sipas mediave serbe.

“Ne ofruam një kompromis me termin "zhdukje me dhunë” që nuk përfshin çështjen e dëmshpërblimit dhe Serbinë si fajtore të vetme, por Kurti nuk pranoi”, ka thënë Vuçiç.

Sipas Veçernie Novosti, e cila ka marrë prononcimin e një juristi të njohur serb, Bogoljub Milosavljeviç, "zhdukjet me forcë konsiderohen si përgjegjësi e shtetit për to, sepse shteti është i detyruar të sigurojë që gjëra të tilla të mos ndodhin. Nëse do të pranohej ky term, atëherë Serbia do të duhej të paguante dëmshpërblimet e luftës".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat