Daçiq i bindur se Rusia s'do ta heqë veton ndaj Kosovës në KS të OKB-së edhe nëse i vënë sanksione

Lajme

Daçiq i bindur se Rusia s'do ta heqë veton ndaj Kosovës në KS të OKB-së edhe nëse i vënë sanksione

Më: 10 prill 2023 Në ora: 11:24
Ivica Daçiq

Është shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian ku harmonizimin e politikës së jashtme dhe të sigurisë me atë të unionit evropian e ka “domosdoshmëri”.

Por, Ministri serb i Jashtëm, Ivica Daçiq, thotë se Serbia nuk e ka ndërmend të bëjë hapin kryesor – atë të vendosjes së sanksioneve ndaj Federatës Ruse.

Madje, Daçiq shkon edhe aq larg sa të besojë se edhe po qe se Serbia do t’i vendoste këto masa kufizuese, vetoja ruse në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ndaj Kosovës nuk do të hiqej.

Daçiq, ndonëse thotë se edhe po qe se Serbia do t’i vendoste sanksione regjimit të Putinit, “Federata Ruse nuk do të ndryshonte pozicion ndaj Kosovës”, vëren se “marrëdhëniet nuk do të ishin më të njëjta”.

Duke folur për televizionin kryekëput nën kontroll të qeverisë serbe “Tv Prva”, kryediplomati serb thotë se mosvendosja e sanksioneve ndaj Rusisë “është për çështje parimore” por se “respektojmë integritetin territorial të Ukrainës”.

Daçiq, i ra sërish pretendimit të kahershëm të tij se nga 196 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara, “Kosova ka vetëm 84 njohje”. Kosova, në uebsajtin të saj zyrtar të Ministrisë së Jashtme shënon 117 njohje ndërkombëtar, ndërsa Serbia pretendon të ketë korrur dhjetëra çnjohje që nga viti 2017, ndonëse njohja është akt i pakthyeshëm.

“Nëse dikush do ta ngriste çështjen e anëtarësimit të Kosovës në OKB, gjëja e parë është deklarimi i Këshillit të Sigurimit, ku Kina dhe Rusia kanë të drejtën e veto-s”, thotë Daçiq i bindur.

Duke folur për Marrëveshjen për Normalizim të Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shefi i politikës së jashtme serbe tha se u qëndrojnë “vijave të kuqe” të paraqitura nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Politika jonë është korrekte. Ne poashtu kemi pranuar lavdërime nga Perëndimi për qasjen më konstruktive ndaj Prishtinës. Presidenti Vuçiq ka thënë se ne jemi të obliguar t’i zbatojmë parimet deri te vijat tona të kuqe, që janë: nuk ka njohje de facto e as de jure dhe nuk ka anëtarësim të Kosovës në OKB”, ka thënë Ivica Daçiq.

Në lidhje me disa vizitat të tij në Taijikistan, Uzbekistan dhe Kyrguzistan, Daçiq tha se “as që kemi folur shumë rreth Kosovës”.

Daçiq ishte i pari i cili kishte dalur në kundërshtim të hapur të asaj që fillimisht quhej si plani frankogjerman për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovë-Serbi.

“Ky plan e merr si të mirëqenë dhe e presupozon Kosovën shtet të pavarur”, thoshte Daçiq në pothuajse çdo deklarim të tij për media. Andaj, edhe në këtë vijë, “është i papranueshëm për Serbinë”, shprehej ai decidivisht.

Megjithatë, plani kaloi prej Plan-Propozimi në marrëveshje “merre ose leje” për palët, ku isthe vetë Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cilli pati deklaroi se tashmë ky plan ishte bërë “kornizë zyrtare” e dialogut.

Vuçiq ka herë ka artikuluar “tri vija të kuqe” në raport me Marrëveshjen – se nuk do të ketë njohje (as de jure as de facto), nuk do të zbatohet në plotëni Neni 4 ku Serbia zotohet të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, përkatësisht moslejimin e anëtarësimit të Kosovës në OKB, si dhe themelimi si “parakusht i të gjitha parakushteve” i Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat