Eksperti kroat: Serbia do t’i rezistojë vetë Nenit 7 për t'i parandaluar hapat e mëtejmë të Marrëveshjes

Lajme

Eksperti kroat: Serbia do t’i rezistojë vetë Nenit 7 për t'i parandaluar hapat e mëtejmë të Marrëveshjes

Më: 10 prill 2023 Në ora: 11:51
Davor Gjenero

Është vetë Serbia ajo e cila po i reziston zbatimit të Nenit 7 i cili parasheh “vetëmenaxhim të komunitetit serb në Kosovë” për arsye se është në dijeni se nuk mund të sigurojë një aranzhim çfarë është entiteti serb në Bosnje-Hercegovinë, “Republika Srpska”. Duke parandaluar këtë, parandalon hapat e tjetër të Marrëveshjes për Normalizim të Marrëdhënieve, tha opinionisti dhe njohësi kroat i çështjeve rajonale, Davor Gjenero.

Gjenero vëren se është e vërtetë se “ka shumë spin-doktorizma” rreth asaj se çfarë do të thotë dhe çfarë nuk do të thotë çështja e “vetëmenaxhimit” dhe se pikërisht interpretimit mbi të mund të shërbejnë se pengues të konkludimit të marrëveshjes.

“Ju keni plotësisht të drejtë kur flisni për spin-doktorizëm në lidhje me këtë ‘vetëmenaxhimin’ për komunitetin serb në Kosovë. Dhe, është e qartë se të dyja palët mendojnë se kjo mund të jetë debati/kontesti mbi këtë çështje, që kjo të mund të jetë një mënyrë për të parandaluar një arritje të njëmendtë, një marrëveshje të qëndrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

“Të dyja palët po e luajnë rolin e tyre dhe është e qartë se ideja serbe është parandalimi i hapave të tjera në marrëveshje me parandalimin e marrëveshjes për vetëmenaxhimin. Ata janë në dijeni se një aranzhim i tillë çfarë është ‘Republika Srpska’ që do ta bllokonte Kosovën në nivel shtetëror nuk është i mundshëm. Ata po i rezistojnë kësaj, sepse në këtë mënyrë parandalojnë hapat e tjerë në marrëveshjen e përbashkët”, thotë Gjenero.

Në lidhje me pjesën e dytë të Nenit 7, përkatësisht formalizimit e Statusit (disa thonë Special) të Kishës Ortodokse Serbe, Gjenero vëren se kësisoji mund të shtrihet “ndikimi permanent i shtetit të Serbisë në territorin e Kosovës”. Kjo nuk është thjesht një organizatë kishtare, rikujton opinionisti kroat.

“Është e qartë se Kisha Ortodokse Serbe nuk është veç organizatë kishtare por edhe njëfarë mjeti në duart shtetërore dhe ky është problem tejet i madh në ato vende që janë pjesë e interesit të së ashtuquajturës ‘botë serbe’. Është mirë që tashmë shumë aktorë të komunitetit ndërkombëtarë janë në dijeni rreth këtij fakti dhe kjo mund të jetë shumë problematike për të diskutuar gjatë negociatave. Mund të jetë njëfarë mënyre për të shtrirë ndikimin permanent të shtetit serb në territorin e Kosovës”, na thotë Davor Gjenero.

Në lidhje me themelimin e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe, Gjenero nuk ka asnjë dyshim se është vetë Serbia ajo e cila do ta pengojë atë, në mënyrë që të parandalojë hapat e mëtejmë të konkludimit të marrëveshjes.

“Mendoj se vetëm një çështje që mund të zbatohet në lidhje me këtë Asociacionin e komunave mund të jetë vetëm në fushën e çështjeve që janë pjesë e qeverisjes lokale. Çfarëdo gjëje që këtë bashkësi komunash do ta bënte pjesë të procesit vendimmarrës në nivelin nacional të Kosovës mund nuk do të kalonte sipas aktvendimit të Gjykatës suaj Kushtetuese por edhe në lidhje me pozitën e shtetit të Kosovës. Dhe është e qartë se kjo vënie në kontestim është e nisur nga Beogradi veçanërisht për shkak të asaj se ata duan të bllokojnë procesin e zgjidhjes së konfliktit mes Serbisë dhe Kosovës”, përfundoi ai.

Asociacioni i Komunave të banuara me shumicë serbe është në draftim e sipër ndërsa draft-Statuti i parë pritet të bëhet publik javëve në vijim. Hartimi i saj do të bëhet sipas marrëveshjes së vitit 2013 dhe 2015.

Pala kosovare në bisedimet e Ohrit ka paraqitur 3 shtylla sipas të cilës ky Asociacion është i bëshëm: Kushtetuta e Kosovës dhe aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2015, qëndrimi i BE-së i shprehur nga Letra e Ish-Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini dërguar ish-kryeministrit Isa Mustafa se ky Asociacion nuk do të përbëjë nivel të ndërmjetmë të pushtetit si dhe Op/Ed-i botuar më 31 janar të këtij viti nga Derek Chollet dhe Gabriel Escobar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat