Avokati për procesin në Hagë: E rëndësishme që Serbisë t'i hiqet barra për vrasjet

Lajme

Avokati për procesin në Hagë: E rëndësishme që Serbisë t'i hiqet barra për vrasjet

Më: 10 prill 2023 Në ora: 12:13
Goran Petronijeviç

Një ish-avokat i Hagës dhe kryetar i ‘’Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtës Ndërkombëtare’’, nga Beogradi, Goran Petronijeviç, u shpreh lidhur me gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Ai tha se ky gjykim paraqet një lëvizje të detyruar.

‘’Gjykimi i Thaçit dhe tre ish-krerëve të UÇK-së, Veseli, Selimi e Krasniqi, para Gjykatës Speciale në Hagë, të cilët akuzohen se janë individualisht përgjegjës penalisht për krimet e kryera nga pjesëtarët e UÇK-së në mbarë botën, por edhe në Veri të Shqipërisë, paraqet një lëvizje të detyruar’’- tha ai.

Ai gjithashtu shtoi se metoda e akuzës është e përbashkët për të katërt, lidhur me kontrollin politik të Kosovës. Por sipas tij, spastrimi kombëtar dhe etnik i serbëve nuk përmendet askund- raporton Glas Srspka, njofton Kosovo Online.

“Nuk ka asgjë nga drejtësia. Nëse e shikojmë aktakuzën dhe për çfarë akuzohen, shihet se kjo është kryesisht për shkak të burgosjeve dhe vrasjeve të shqiptarëve. UÇK-ja “strehoi” kundërshtarët e saj politikë, pasuesit e Ibrahim Rugovës, si dhe ata që konsideronin se kishin bashkëpunuar me autoritetet në Serbi. Dhe kjo aktakuzë ka të bëjë vetëm me ato gjëra. Ajo që ende duhet përmendur është metoda e akuzës. Të katërt akuzohen për një ndërmarrje të përbashkët kriminale që synonte kontrollin politik të Kosovës. Spastrimi kombëtar dhe etnik nuk përmendet askund. Pra, nuk ka asnjë substancë që do të zbulonte rolin e vërtetë terrorist dhe kriminal të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Kosovë dhe Metohi, që para së gjithash i referohet spastrimit etnik dhe vrasjes së serbëve”- tha Petronijeviq.

Petronijeviq ndër të tjera tha se ky gjyq është i rëndësishëm për Serbinë vetëm në një aspekt, që barra e përgjegjësisë për vrasjet gjatë luftës të hiqet nga supet e saj.

“E vetmja gjë që mund të jetë domethënëse për Serbinë është që barra e imponuar e përgjegjësisë për shkak të përfshirjes së pretenduar në vrasjet e lartpërmendura të hiqet përfundimisht nga supet e saj. Pra, vetëm nga ky aspekt, ky gjyq është i rëndësishëm për Serbinë”- shtoi Petronijeviq.

Ai thotë se sipas tij aktakuza ishte e formuluar gabimisht, dhe se në gjykim duhet të përmendej trafikimi i organeve.

“Tregtia e organeve nuk përmendet askund, ndonëse për këtë ka dëshmi të ndryshme dhe raporte ndërkombëtare. Si përfundim, aktakuza askund nuk thotë se qëllimi kryesor i ndërmarrjes së përbashkët kriminale është spastrimi etnik i Kosovës nga serbët dhe "joshqiptarët". Kjo është një gjë. E dyta është se vrasjet e serbëve ishin të motivuara etnikisht dhe jo politike, siç thuhet në aktakuzë. Dhe së fundi, që askund nuk përmendet trafikimi i organeve”- tha Petronijeviq.

Ai beson se këto tri gjëra nuk janë përmendur, sepse më pas do të ekspozohej roli i disa shteteve perëndimore në krijimin e “shtetësisë së Kosovës” dhe fshehjen e krimeve.

Petronijeviq shton se Thaçi ka pranuar se ka pasur krime “të caktuara” dhe “sporadike”, por edhe se në atë kohë nuk ka pasur kontroll të plotë mbi UÇK-në dhe as mbi komandantët vendorë.

“Ai tha se këto krime kanë qenë periodike, jo sistematike dhe se janë kryer nga grupe dhe individë të ndryshëm militantë në terren, gjë që natyrisht nuk përputhet me të vërtetën. Komandantët e UÇK-së e dinin saktësisht se çfarë po ndodhte dhe bënë spastrim të hapur etnik”- thotë Petronijeviq.

Ai beson se rasti i Ramush Haradinajt mund të përsëritet për shkak se dëshmitarët janë zhdukur papritur ose kanë ndryshuar deklaratat e tyre.

Petronijeviq thotë se Richard Holbrooke, dhe veçanërisht Madeleine Albright, luajtën një rol të madh në krijimin e "Kosovës së pavarur".

“Sa i përket mesazhit të Thaçit, ndoshta duhet parë si një lloj paralajmërimi dhe mesazhi i ashpër për ish-aleatët, mentorët dhe sponsorët perëndimorë, “mos më lejoni të flas për rolin tuaj”- thotë Petronijeviq.

Wesley Clark dhe Bernard Kushner u thirrën gjithashtu si dëshmitarë të mbrojtjes.

“Është planifikuar të dëshmojë edhe Kushner, i cili solli tregtinë e organeve në Kosovë. Ai ishte njeriu kryesor për të. Pasi u hoq nga posti i ministrit të Punëve të Jashtme të Francës, ai u zhduk pa lënë gjurmë”- ka theksuar Petronijeviq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat