Analisti serb: Ka rrezik që në veri të Kosovës të përsëritet skenari i vitit të kaluar

Lajme

Analisti serb: Ka rrezik që në veri të Kosovës të përsëritet skenari i vitit të kaluar

Më: 12 prill 2023 Në ora: 11:11
Ognjen Gogic

Njohësi i çështjeve politike në Serbi, Ognjen Gogic, ka folur në lidhje me situatën e sigurisë në veri të vendit në prag të zgjedhjeve të parakohshme.

Gogic ka thënë se krejt çfarë po ndodh atje është vazhdimësi e situatave që kanë ndodhur nga viti i kaluar.

Ai ka thënë se ka rrezik që diçka e ngjashme mund të ndodhë edhe këtë herë.

“Situata në komunat veriore prej disa muajsh është e paqëndrueshme. Ka pasur jo pak incidente me të shtëna, djegie makinash dhe arrestime. Pra, ky nuk është një trend i ri, por një vazhdimësi e përkeqësimit të situatës së sigurisë nga viti i kaluar.Dhjetorin e kaluar, zgjedhjet që duhej të mbaheshin në atë kohë ishin shkas që nisën zinxhirin e ngjarjeve të rrezikshme, nga sulmet me bomba, të shtënat, arrestimet dhe ndalimet e deri te barrikada.Është një rrezik që diçka e ngjashme mund të ndodhë këtë herë. Megjithatë, nuk mendoj se do të jetë aq e rëndë sa herën e kaluar”, tha Gogic.

Gogic ka potencuar se incidentet e dhunshme do të ishin të dëmshme për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.

“Marrëveshja Bruksel-Ohër është ende relativisht e freskët. Të dyja palët duhet të paraqiten si konstruktivë dhe me qëllime të mira në lidhje me marrëveshjen. Incidentet e dhunshme do të ishin të dëmshme për zbatimin e marrëveshjes. Asnjëra palë nuk dëshiron të shihet si përgjegjëse për dështimin e saj të mundshëm. Prandaj, veprimet do të jenë më të matura dhe të përmbajtura. Megjithatë, unë shqetësohem se disa renegatë ose të jashtëligjshëm në veri që veprojnë më të pavarur nga Beogradi mund të provokojnë incidentet për të prishur të gjithë procesin e normalizimit”, deklaroi Gogic.

Me 23 prill pritet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut.

Lista Serbe ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në këto zgjedhje.

Ditët e fundit në Veri të vendit janë regjistruar edhe disa incidente me djegie të veturave, veprim i cili nga ekspertët e sigurisë në vend është parë si paralajmërim për të frikësuar serbët për të marrë pjesë në zgjedhje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat