Vija të kuqe, parakushte, konkluzione e çka mos: Qeveria e Serbisë miraton sot “pesë konkluzionet” e Rashkës

Lajme

Vija të kuqe, parakushte, konkluzione e çka mos: Qeveria e Serbisë miraton sot “pesë konkluzionet” e Rashkës

Më: 15 prill 2023 Në ora: 11:47
Ana Bërnabiq

Qeveria e Serbisë ia ka për qejfi të flas për “dy, pesë, gjashtë, shtatë – konkluzione, vija të kuqe, parakushte të të gjitha parakushteve” e frazime të tjera për tema në raport me Kosovën në Dialogun e Brukselit, por këta numra e fraza janë tejet të lakueshme dhe të avullueshme dhe zakonisht s'i mbijetojnë testit të kohës. Prej “tri vijave të kuqe” në Plan-Propozimin e BE-së tash kapërcyen në “pesë konkluzionet” e Rashkës. Ndonëse në masën e tyre të madhe ato s’përbëjnë ndonjë ndryshim prej asaj që kanë artikuluar kaherë, dy pika kyçe janë ato që kërkon edhe Lista Serbe (ose që është shfaqur si kërkesë e Listës Serbe) – Themelimi i “menjëhershëm” i Asociacionit të Komunave (të banuara me shumicë) Serbe dhe tërheqja e njësive speciale nga veriu i Kosovës.

Madje, këtë të shtune nis seanca qeveritare e kryesuar nga Ana Brnabiq dhe Ivica Daçiq, ku këtu konkluzione do të miratohen në qeveri, dhe siç thonë ata, do të bëhen “kornizë zyrtare”. Për çfarë është i ashtuquajturi “konkluzion i parë”? Targat KM. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se i ka nisur Brukselit një propozim “që përbën më shumë se kompromis nga pala serbe” rreth çështjes së targave KM. “Nëse nuk e pranojnë, pason kundërpërgjigja”, tha Vuçiq.

“Nëse (Albin Kurti) nuk dëshiron marrëveshje rreth kësaj (targave KM), si do të dojë për Asociacionin. Është qartësisht e nënvizuar se ekipi negociator do të dal me një kompromis të fundit, nëse Prishtina refuzon edhe atë, Beogradi do të dal me masa arbitrare në lidhje me targat RKS”, ka thënë Petar Petkoviq ditë më parë duke folur rreth të ashtuquajturit “konkluzion i parë”.

Tash i dyti...për të qindtën herë

Në lidhje me “konkluzionin e dytë”, Petkoviq thotë se është themelimini i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Kjo, tha ai, “është parakusht” për rikthimin e serbëve në institucionet nga ku janë dorëheqhur që nga nëntori i vitit të kaluar.

“Është e domosdoshme që Asociacioni të themelohet urgjentisht, por jo në mënyrën që e dëshiron Prishtina. Ne nuk jemi të interesuar për këtë, i qëndrojmë marrëveshjes, dhe thamë se në pikën e dytë gjithçka duhet të jetë sipas Marrëveshjes për Asociacionin”.

“E treta është tërheqja e njësive speciale nga veri. S’kanë çfarë të kërkojnë aty. Nuk do të jetë lehtë, sepse është dhuna e Kurtit. Shumë thonë se Kosova është shtet, për neve nuk është. Ne s’po përballemi thjesht me Kurtin, por edhe me një pjesë të komunitetit ndërkombëtar”, ka vazhduar Petar Petkoviq.

Çfarë po ndodh me Asociacionin?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në bisedimet maratonëshe prej 12 orëve në Ohër muajin e kaluar ka paraqitur, siç është thënë, tri shtylla se si një Asociacioni tillë mund të ishte i bëshëm nga Kosova.

E para, aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2015 në lidhje me parimet e këtij Asociacioni, e dyta qëndrimi i Bashkimit Evropian i shprehur më 2015 përmes letrës së ish-Përfaqësueses së Lartë, Federica Mogherini, dhe e treta, një Op/Ed i botuar më 31 janar nga Derek Chollet dhe Gabriel Escobar, se çka do të jetë dhe çka nuk do të jetë ky Asociacion. Aktualisht, draft-Statuti i këtij Asociacioni është duke u hartuar nga Ekipi Menaxhues.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat