Angjellkoviq: Qëllimi i Kurtit dhe i vendeve të KUINT-it është pastrimi etnik i Kosovës

Lajme

Angjellkoviq: Qëllimi i Kurtit dhe i vendeve të KUINT-it është pastrimi etnik i Kosovës

Më: 17 prill 2023 Në ora: 12:24
Zoran Angjellkoviq

Ish-kryetari i Këshillit Ekzekutiv të Kosovës i instaluar me masat e dhunshme nga krimineli Sllobodan Millosheviq, Zoran Angjellkoviq, ka deklaruar se “qëllimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, por edhe i një numri të konsiderueshëm të shteteve të KUINT-t, është pastrimi etnik i Kosovës” dhe ka pretenduar se mbajtja e zgjedhjeve në veri, “kur dihet se serbët nuk do të marrin pjesë në to”, paraqet, siç thotë ai, “futjen e racizmit nëpër dyer të hapura”.

“Qëllimi i Kurtit është spastrimi etnik i Kosovës, qoftë përmes provokimeve apo akteve të ndryshme terroriste. Nuk është vetëm nëse dikush plagoset, por edhe ajo që njerëzit, nëse i kërkon policia, “nuk e dinë se cila është arsyeja”, prandaj detyrohen të ikin”, ka thënë Angjelkoviq.

Angjelkoviq po ashtu ka pretenduar se zgjedhjet në katër komuna në veri të planifikuara për 23 prill janë “raciste”.

“Duke futur racizmin nëpër dyer të mëdha, ju organizoni zgjedhje derisa jeni të vetëdijshëm se 99 për qind e komunitetit serb nuk do të dalin të votojnë”, ka deklaruar Angjellkoviq.

Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare, e cila i sheh zgjedhjet si demokratike, ndër të tjera, “kërkon që Kurti të vendosë njerëzit e tij kudo, në mënyrë që nëse është e nevojshme të formohet Asociacioni, ai të thotë “nuk e duan këshilltarët”.

“Kam frikë nga zgjedhjet “e rrejshme” dhe tentimet që të vendoset nga një Kurti në çdo komunë dhe të thuhet: ma çfarë Asociacioni”, ka pretenduar shërbëtori i Millosheviqit dhe ka shtuar se dikush po i lejon të gjitha këto.

Ai gjithashtu ka pretenduar se “politika e Berlinit është fajtore për ngritjen e tensioneve në Kosovë”.

“Kur u qëllua Jovanoviqi, ambasadori gjerman në Kosovë reagon sikur të ishin rrahur dy fëmijë në mes veti”.

Ai ka shtuar se amerikanët ende po kërkojnë nga Kurti që të zbatojë diçka.

“Jam plotësisht i bindur se nëse Kurti nuk do të kishte përkrahje, nuk do të mund të vepronte kështu”, ka pretenduar ai, duke shtuar se Kurti “po bën gjithçka për të shmangur çdo detyrim”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat