Lajçak: Takim ‘veçanërisht i rëndësishëm’ mes Kurtit dhe Vuçiqit nesër në Bruksel

Lajme

Lajçak: Takim ‘veçanërisht i rëndësishëm’ mes Kurtit dhe Vuçiqit nesër në Bruksel

Më: 1 maj 2023 Në ora: 19:17
I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak

I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, ka vlerësuar se takimi i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit serb, Aleksandar Vuçiq nesër në Bruksel do të jetë “veçanërisht i rëndësishëm”.

Lajçak ka shkruar në Facebook se në forumin në Delphi të Greqisë ka folur me Kurtin për përgatitjet për takimin e nesërm në kuadër të vazhdimit të dialogut Beograd-Prishtinë.

Lajçak tha se për situatën në rajon ka biseduar edhe me të dërguarin special të Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach.

Në anën tjetër, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur i lumtur që nesër do të shoh draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ani pse siç tha ai më mirë do të ishte që t’ia prezantonin atë fillimisht në Prishtinë.

“Duke pasur parasysh insistimin e Brukselit, do të jem i lumtur të shoh se çfarë drafti kanë përgatitur, edhe pse mendoj se do të kishte qenë më mirë sikur të ma kishin paraqitur fillimisht në Prishtinë. Megjithatë, do të siguroj që të përmbushet ajo që tashmë është rënë dakord më 27 shkurt në Bruksel, ekzistenca e një niveli të duhur të vetëqeverisjes së komunitetit serb sipas standardeve më të larta ndërkombëtare evropiane për mbrojtjen e pakicave. Megjithatë, ajo që ne nuk do të lejojmë është e drejta e territorializimit dhe krijimit të çdo gjëje që do të dukej si Republika Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë. Nuk do të lejojmë një parashtet satelitor me thelb shkatërrues që do të minonte shtetësinë e Kosovës”, ka deklaruar kryeministri Kurti në një intervistë për agjencinë kroate të lajmeve “Hina” dhënë gjatë forumit ekonomik në qytetin grek të Delphit.

Kreu i Qeverisë gjatë ditës së sotme, i shoqëruar nga zëvendsi i tij, Besnik Bislimi dhe zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu e këshilltari i tij, Tinemu Ma janë nisur drejt Brukselit.

Në takimin e nesërm do të jetë i pranishëm edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

Raundi i ri i dialogut mes Vuçiqit dhe Kurtit ka për qëllim zbatimin e Marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat