Konferenca për themelimin e Fondit Sovran të Kosovës, Qeveria jep detaje

Lajme

Konferenca për themelimin e Fondit Sovran të Kosovës, Qeveria jep detaje

Më: 7 maj 2023 Në ora: 14:35
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Sot po mbahet konferenca gjithëditore për themelimin e Fondit Sovran të Kosovës, një bashkëorganizim ky i Zyrës së Kryeministrit dhe Fondacionit Friedrich Ebert Stiftung, në të cilën Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte folës kyç.

Duke shprehur kënaqësinë që ishte sot në këtë ngjarje, në fjalën e tij, kryeministri Kurti tha se Qeveria jonë qëndron fuqishëm mbrapa këtij vizionit të Fondit Sovran, duke besuar që një nismë e këtillë do rezultojë me stabilizim të ekonomisë përmes diversitetit, krijim të profitit për shtetin përmes investimeve të mençura, e me gjenerim të pasurisë për gjeneratat që vijnë.

Projektligji së fundmi ka kaluar edhe konsultimet publike, dhe është një hap më afër miratimit të tij dhe drejt kurorëzimit të idesë që ka nisur me koncept dokumentin mbi Fondin Sovran të udhëhequr nga profesor Besnik Pula gjatë vitit të kaluar.

Ndërmarrjet tona publike, do bëhen pjesë integrale e Fondit, në qëllim të mundësisë për rritje të investimeve të nevojshme për zhvillim ekonomik, tha kryeministri Kurti, teksa theksoi se ato gjatë qeverisjes sonë tashmë janë ringjallur dhe kthyer në shërbim të qytetarëve

“Kemi fuqizuar bordet e ndërmarrjeve publike me profesionistë nga sektori privat. Përmes tyre jemi siguruar që kontratat e dëmshme, keqpërdorimet e korrupsioni të mos zënë vend në ndërmarrjet qendrore. Këto ndërmarrje kanë siguruar profit prej 94 milionë euro gjatë këtij viti, në krahasim me 3 milionë humbje para mandatit tonë qeverisës. Telekomi ka siguruar profit e fitore në arbitrazh ndërkombëtar, duke rritur edhe cilësinë e shërbimeve për qytetarët pas investimit të qeverisë në këtë ndërmarrje në vlerë prej 20 milionë euro kredi. Trepça ka rritur të hyrat nga 15 milionë në 22 milionë euro dhe për herë të parë që nga paslufta ka shënuar profit. Tani këto ndërmarrje do bëhen pjesë funksionale e Fondit”, u shpreh ai në fjalën e tij.

Ai po ashtu foli edhe për Korporatën Energjetike të Kosovës për të cilën u shpreh se përkundër sfidave në realizimin e investimeve kapitale, KEK gjatë këtij viti të shkuar pra 2022 ka realizuar planin e prodhimit në masën 97.6%, duke prodhuar 5,680 GWh, ka eksportuar 581 GWh në vlerë totale 117 milionë euro, ka ulur shpenzimet operative dhe ka realizuar mbi 20 milionë euro investime kapitale.

Në epokën e globalizimit, shpejtësia me të cilin inovacioni kalon kufirin përmes ndërrimit të kapitalit dhe ideve është i paprecedentë. Për të rritur përqindjen e suksesit e për të ulur rrisqet, qeveritë përgjegjëse duhet ta bëjnë globalizimin të tillë që ai të punojë për qytetarët, dhe pikërisht këtë e bën Fondi Sovran, u theksoi ndër të tjerash kryeministri Kurti.

Ai falënderoi fondacionin Friedrich Ebert Stiftung për organizimin e Konferencës në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Kosovës, dhe u dëshiroi mirëseardhje të gjithë mysafirëve të pranishëm që vinin nga Britania e Madhe, Greqia dhe Sllovenia.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuari z. Schlee,

E nderuara znj. Pllana,

I nderuari z. Ashmore, z. Dimitriadis, znj. Debelak,

I nderuari profesor Pula,

I nderuar zv.ministër Mjeku,

E nderuara deputetja Statovci,

I nderuari zv/ambasador gjerman Conrad,

Kam kënaqësinë që të jem sot me juve në këtë Konferencë. Uroj që kjo të jetë vetëm njëra ndër të tjera që do trajtojnë këtë temë të rëndësishme. Do të doja të falënderoj z. Schlee dhe fondacionin Friedrich Ebert Stiftung për organizimin e Konferencës në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Kosovës, si dhe dëshiroj mirëseardhje për të gjithë mysafirët tanë nga Britania e Madhe, Greqia e Sllovenia që sot janë me ne. Mirë se vini.

Sot do flasim për themelimin e fondit sovran. Tani kur projektligji ka kaluar konsultimet publike, jemi një hap më afër drejt miratimit të tij e, me këtë, të kurorëzimit të idesë që ka nisur me koncept dokumentin mbi Fondin Sovran të udhëhequr nga profesor Besnik Pula gjatë vitit të kaluar.

Qeveria jonë qëndron fuqishëm mbrapa këtij vizioni, duke besuar që një nismë e këtillë do rezultojë me stabilizim të ekonomisë përmes diversitetit, krijim të profitit për shtetin përmes investimeve të mençura, e me gjenerim të pasurisë për gjeneratat që vijnë. Të gjitha këto, pra me qëllim të një transformimi makroekonomik, të bazuar në kornizë politikash të investimeve të qarta, përmes dispozitave ligjore të parashikueshme.

Jetojmë në një epokë të globalizimit dhe ky nuk është procesi që duhet ndalur. Shpejtësia me të cilin inovacioni kalon kufirin përmes ndërrimit të kapitalit dhe ideve është i paprecedentë. Globalizimi i këtillë sjell me vete perspektivën e përmirësimit të jetës së qytetarëve. Mirëpo, për të rritur përqindjen e suksesit e për të ulur rrisqet, qeveritë përgjegjëse duhet ta bëjnë globalizimin të tillë që ai të punojë për qytetarët. Këtë pikërisht e bën Fondi Sovran.

Ndërmarrjet tona publike, do bëhen pjesë integrale e Fondit, në qëllim të mundësisë për rritje të investimeve të nevojshme për zhvillim ekonomik. Gjatë qeverisjes tonë dy vjeçare, kemi shënuar rezultate signifikante në ekonomi.

Kemi fuqizuar bordet e ndërmarrjeve publike me profesionistë nga sektori privat. Përmes tyre jemi siguruar që kontratat e dëmshme, keqpërdorimet e korrupsioni të mos zënë vend në ndërmarrjet qendrore. Ndërmarrjet janë ringjallur e kthyer në shërbim të qytetarëve. Këto ndërmarrje kanë siguruar profit prej 94 milionë euro gjatë këtij viti, në krahasim me 3 milionë humbje para mandatit tonë qeverisës. Telekomi ka siguruar profit e fitore në arbitrazh ndërkombëtar, duke rritur edhe cilësinë e shërbimeve për qytetarët pas investimit të qeverisë në këtë ndërmarrje në vlerë prej 20 milionë euro kredi. Trepça ka rritur të hyrat nga 15 milionë në 22 milionë euro dhe për herë të parë që nga paslufta ka shënuar profit. Tani këto ndërmarrje do bëhen pjesë funksionale e Fondit.

Përkundër sfidave në realizimin e investimeve kapitale, KEK gjatë këtij viti të shkuar pra 2022 ka realizuar planin e prodhimit në masën 97.6%, duke prodhuar 5,680 GWh. Ka bërë eksportin e 581 GWh-ve në vlerë totale 117 milionë euro, ka ulur shpenzimet operative dhe ka realizuar mbi 20 milionë euro investime kapitale. Me realizimin e këtyre investimeve krijohen kushtet për realizimin e projektit të Elektrofiltrave dhe pajisjeve për uljen e emetimeve të oksideve të sulfurit dhe azotit (DeNOX) nga viti tjetër me grant të Bashkimit Evropian në vlerë prej 77 milionë euro.

Krahas fuqizimit të ndërmarrjeve publike, kemi punuar në rritjen ekonomike e cila ka një mesatare prej 7 për qind në dy vitet e fundit, më e madhja ndonjëherë që nga paslufta. Kemi rritur eksportet për 83.6 për qind e 47.6 për qind investime të huaja direkte. Trendin e këtillë vazhdojmë me 25 mijë vende të reja pune të krijuara, numër ky që po rritet çdo ditë përmes platformës së re Superpuna. Kemi rregulluar pagat në sektorin publik e kemi shënuar progres në luftën kundër korrupsionit, duke u rritur për 22 vende sipas Transparency International. Luftën kundër korrupsionit e vazhdojmë me strategjinë kundër korrupsionit që do hartohet këtë vit e me agjendë të pasur legjislative që shënon ndryshim rrënjësor në luftim të korrupsionit përmes themelimit të Byrosë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Investime të huaja direkte dhe eksporte po sjellim në Zyren e Kryeministrit përmes themelimit të agjencisë së re profesionale, me kuadro të pasura me përvojë në institucione të brendshme e ndërkombëtare, profesionistë ligjorë e të ekonomisë që do të tërheqin investime në bazë të politikave të mirëfillta zhvillimore.

Të gjitha këto nisma e komplementojnë atë të Fondit Sovran, si mjeti institucional i investimeve që do veprojë në tregje ndërkombëtare financiare, të zotëruar, menaxhuar e kontrolluar nga një qeveri e përgjegjshme e nga një sovran i përgatitur e i gatshëm për ndryshimet pozitive që na presin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat