Daçiq: “Serbia shumë e prekur” me vendimin e KE për anëtarësimin e Kosovës

Lajme

Daçiq: “Serbia shumë e prekur” me vendimin e KE për anëtarësimin e Kosovës

Më: 15 maj 2023 Në ora: 09:21
Ivica Daçiq

Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka thënë se është koha që të bien maskat dhe të përcaktohet nëse kryeministri i Kosovës Albin Kurti dëshiron apo nuk dëshiron të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Çdo ditë jetojmë në problemin nëse Kurti do të shkaktojë ndonjë konflikt. Në vend të normalizimit, kemi një përshkallëzim të mëtejshëm. Kemi ardhur në pikën ku duhet hequr maskat – a do ta formojë Kurti Asociacionin apo jo”, ka deklaruar Daçiq për televizionin në shërbim të regjimit serb, “TV Pink”.

Nëse Kurti nuk dëshiron ta bëjë këtë, atëherë, sipas Daçiqit, ”vlen edhe ajo që ka thënë presidenti serb Aleksandar Vuçiq – se ne nuk jemi marrë vesh për asgjë, ndërsa nëse dëshiron ta formojë Asociacionin, atëherë duhet parë se mbi çfarë baze do të jetë”.

“Ai në mënyrë të “paligjshme” ka zëvendësuar ekipin menaxhues dhe po mendon për veprime të njëanshme, si t’i fusë kryetarët e komunave në zyrat në veri dhe këtë nuk do ta lejojnë serbët”, kërcënon haptas Daçiq.

Ai ka përkujtuar se zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, sot do të bisedojnë në Bruksel në nivel teknik.

“Të shohim se çfarë do të bëjmë më pas”, ka shtuar Daçiq.

Kur është fjala për samitin e ardhshëm të Këshillit të Evropës, ai përsëriti se Serbia është “thellësisht e prekur nga vendimi joparimor” i Komitetit të Ministrave për të filluar pranimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare.

“Si përgjigje ndaj kësaj, ne përgatitëm një amendament të Deklaratës, e cila flet për integritetin territorial të Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë, ku kërkuam që kjo deklaratë të vlejë edhe për të gjithë anëtarët të tjerë, por as kjo nuk i pëlqeu Gjermanisë”, ankohet Daçiq.

Ai ka shtuar se në Samitin e Këshillit të Evropës në vend të presidentit Vuçiq do të shkojë ambasadorja e Serbisë në atë organizatë, Aleksandra Gjuroviq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat