Krimet e Rënda aksion kundër fajdeve në Prishtinë e Podujevë, ka të arrestuar

Lajme

Krimet e Rënda aksion kundër fajdeve në Prishtinë e Podujevë, ka të arrestuar

Më: 17 maj 2023 Në ora: 08:36 Përditësuar në ora: 11:23 më 17.05.2023
Foto ilustrim

Sveçla flet për tri aksionet e sotme policore

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka informuar se që nga mëngjesi i hershëm janë duke u zhvilluar tri aksione nga drejtori të ndryshme të Policisë së Kosovës.

Sveçla ka potencuar se krimet ekonomike kanë zhvilluar aksion në Ndërmarrjen Publike Banesore, Krimet e Rënda janë duke zhvilluar aksione kundër fajdeve dhe Krimet Kibernetike për mashtrimet me kartela bankare.

“Angazhimi ndaj çdo lloj krimi do të intensifikohet, përgëzoj Departamentin e Hetimeve për secilin rezultat të arritur”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka bërë të ditur se janë bastisur shtëpi e lokale në Prishtinë e Podujevë, me ç’rast janë ndaluar katër persona.

Ndërsa, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Bajram Krasniqi ka konfirmuar lajmin për KosovaPress për bastisje në Ndërmarrjen Publike Banesore.

Bastiset shtëpia e ish-kryeshefit të NPB-së

Zyrtarë policorë kanë kryer sot bastisje në shtëpinë e Hajdar Hoxhës, ish-Kryeshefit Ekzekutiv të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB).

Bastisja në shtëpinë e ish-kryeshefit të NPB-së, të shkarkuar nga detyra vitin e kaluar, është duke u zhvilluar në Prishtinë.

Aksioni është marrë përsipër nga Drejtoria për Krimet Ekonomike në Policisë së Kosovës.

Policia e Kosovës, në kuadër të këtij operacioni, është duke realizuar bastisje edhe në zyrat e Ndërmarrjes Publike Banesore në kryeqytet.

Po ashtu, bastisja është duke u zhvilluar edhe në disa lokacione të tjera në Prishtinë.

Krimet e rënda bastisin tri lokacione në Prishtinë

Prokuroria Themelore në Ferizaj në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda (DHKR) në Prishtinë dhe njësive tjera  mbështetëse,  në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për lëshimin e urdhëresës për kontroll dhe sekuestrim te përkohshëm të shtëpive dhe lokaleve përcjellëse, sot,  është duke e realizuar  një aksion në disa lokacione.

Burime të IndeksOnline kanë treguar se në Prishtinë janë duke u zhvilluar bastisje në tri lokacione, ka te arrestuar dhe sekuestrime. Bastisja e sotme është në vazhdën e aksioneve të mëhershme që kanë rezultuar nga rasti i njohur “Brezovica”,mirëpo nuk lidhet me Brezovicën.

“Gjatë këtij aksioni, janë duke u kontrolluar dhe bastisur, shtëpi dhe lokale përcjellëse në lokacione të ndryshme, konkretisht në qytetin e Prishtinës dhe Podujevës, për shkak të dyshimit të veprave penale “Fajdeja” nga neni 331 par.3 lidhur me par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Shmangia nga tatimi” nga neni 307 par.1 lidhur me par 3 të KPRK-së ,“Detyrimi” nga neni 328 par.2 të KPRK-së dhe “Organizim i skemave piramidale dhe bixhozi te paligjshëm” nga neni 294 par 3 i KPRK-së”, kanë thënë nga Prokuroria e Ferizajt.

Lidhur me këtë aksion, me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar katër persona të dyshuar në kohëzgjatje prej 48 orësh për shkak të dyshimit të bazuar të veprave penale të lartcekura.

Bastisje e hershme në Podujevë, arrestohet B.I, i dyshuar për fajde

Prokuroria në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda (DHKR) në Prishtinë dhe njësive tjera mbështetëse, ka nisur një aksion të hershëm në disa lokacione të ndryshme.

Aksioni është zhvilluar edhe në Podujevë në një “Bilardo Club”.

Burime të medias bëjnë të ditur se është arrestuar B.I, i dyshuar për veprën penale fajde.

Media do të iu mbajë të informuar për këtë rast.

Krimet e Rënda aksion kundër fajdeve në Prishtinë e Podujevë, ka të arrestuar

Policia e Kosovës, përkatësisht Njësia e Krimeve të Rënda në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj sot është duke zhvilluar një aksion kundër fajdeve.

Aksioni është duke u zhvilluar në Prishtinë, Podujevë dhe Vushtrri.

Zëdhënësi i policisë Baki Kelani tha për Reporteri.net se se operacioni po zhvillohet në disa lokacione.

Ai shtoi se detaje të tjera do të të bëhen të ditura më vonë.

“Mund të konfirmojmë se Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, janë duke realizuar disa operacione policore, në disa lokacione/rajone të ndryshme.

Pas përfundimit të operacioneve, do të bëhen të ditura detajet shtesë rreth këtyre operacioneve policore”, tha Kelani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat