Ish-pjesëtari i UÇK-së thotë se kishte edhe fëmijë të vrarë në masakrën e Izbicës, tjetri tregon se gjyshen ia masakruan me thikë

Lajme

Ish-pjesëtari i UÇK-së thotë se kishte edhe fëmijë të vrarë në masakrën e Izbicës, tjetri tregon se gjyshen ia masakruan me thikë

Më: 22 maj 2023 Në ora: 16:28
Masakra e Izbices

Dëshmitari Sadik Xhemajli, ish-pjesëmarrës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), gjatë dhënies së dëshmisë në çështjen penale ndaj të akuzuarit për krime lufte Muhamet Alidemaj, tha se forcat serbe i kishin ndarë civilët në tri grupe dhe më pas i kishin ekzekutuar, ku në mesin e tyre kishte edhe fëmijë. Kurse, dëshmitari Xhevdet Spahiu tha se në mesin e të vrarëve, kishte qenë edhe gjyshja e tij 86 vjeçare, e cila sipas tij ishte masakruar me thikë.

Këto deklarime, dëshmitarët i bënë në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj Alidemajt, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari Spahiu, ka thënë se në fillim të vitit 1998 ishte kthyer nga Gjermania që të jetë ushtar në Kosovë, ndërsa në ditën kritike kishte qenë në mal, ku nuk e kishte parë masakrën, por tha se kishte dëgjuar britma dhe krisma rreth dy orë.

Pastaj, ai ka thënë se fillimisht ishte larguar më larg nga aty ku kishte qenë, për faktin se kishte menduar që forcat serbe janë ende dhe pas takimit me 3-4 shokë ishin afruar tek viktimat.

“Veç m’u tranu”, tha dëshmitari, duke shtuar se kishte qenë tmerr ajo çfarë kishin parë.

Ai ka thënë se në mesin e 147 ose 148 të vrarëve në masakrën e Izbicës, kishte qenë edhe gjyshja e tij 86 vjeçare, e cila sipas tij ishte masakruar me thikë.

Ai ka shtuar se të masakruarit në fshatin Izbicë i kishin varrosur, mirëpo pas një kohe forcat serbe i kishin zhvarrosur, e që vetëm pas luftës i kishin gjetur eshtrat e gjyshes së tij, diku afër Vushtrrisë.

I njëjti ka deklaruar se të akuzuarin Alidemaj nuk e njeh, se kishte dëgjuar pas lufte nga njerëzit se i njëjti kishte qenë në masakër, por që personalisht të akuzuarin nuk e kishte parë.

Ndërkaq, dëshmitari Xhemajli ka thënë se ka qenë pjesëmarrës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe udhëheqës i zonës operative të Drenicës.

Ai ka thënë se rreth masakrës së Izbicës kishte dëshmuar edhe në Gjykatën e Hagës, në rastin e gjykimit ndaj Sllobodan Millosheviqit.

Tutje, dëshmitari Xhemajli ka thënë se më 26 ose 27 mars 1999, kishin hyrë forcat serbe, të cilat i kishte parë me dylbi në një distancë 300-400 metra nga fshati Izbicë, përkatësisht në malin e Bahramajt.

Pas kësaj, dëshmitari Xhemajli tha se me sa i kujtohet forcat serbe i kishin ndarë qytetarët të gjithë civilë në 3 grupe dhe më pas i kishin ekzekutuar, në mesin e tyre edhe fëmijë.

Ai tha se ata kishin qenë me xhipa të bardhë të Arkanit, ushtarë, policë, paramilitarë dhe këtë e thotë pasi që kanë pasur uniforma të ndryshme (të Arkanit të bardha me të përziera, kurse policia me tesha të zeza).

Sipas dëshmitarit, prej familjes së tyre ishin vrarë 2 kushëri, si dhe 33 kushëri me të largët.

Ai ka thënë se pas tri ditëve kishin zbritur (më 31 mars 1999), në të cilën ditë sipas tij i kishin varrosur 117 të vrarë, ndërsa më 1 prill 1999, ishin varrosur 9 të vrarë.

Ndërkaq, i njëjti ka thënë se ditarin-bllokun e tij, në të cilin ka shkruar gjatë luftës, kur është marrë në pyetje nga Gjykata e Hagës, ia kishte bërë ekspertizën se kur është shkruar.

Dëshmitari Xhemajli ka deklaruar se të akuzuarin Alidemaj nuk e njeh dhe nuk e ka parë, dhe se deri me rastin e arrestimit të tij nuk kishte dëgjuar asnjëherë. Ai tha se i akuzuari nuk përmendet në bllokun e tij.

Paraprakisht, në këtë seancë u dëgjua edhe dëshmitari Ismet Kransiqi, i cili tha se nga kjo masakër ka mbetur i vrarë gjyshi i tij.

Ai para trupit gjykues sqaroi se në kohë e masakrës, i kishte diku 12 vjet dhe se në fshatin Izbicë kishin shkuar pasi që ishin dëbuar prej fshatit Vojnik nga ushtarët serbë.

Gjithashtu, dëshmitari Krasniqi sqaroi se të akuzuarin Muahmet Alidemaj e njeh, pasi që të afërmit e tyre e kishin tezak.

I njëjti, tha se në ditën kritike ishin mbledhur në një livadh të madh në fshatin Izbicë, ku nga ushtarët serbë ishin detyruar që burrat të ndahen nga gratë dhe fëmijët, dhe se i njëjti kishte shpëtuar pa u marrë nga ushtarët serbë, pasi që ishte i shkurtër dhe nuk ishte dalluar ishte djalë.

Dëshmitari tregoi se nga masakra në ditë kritike kishte shpëtuar shoku i tij edhe pse i njëjti fillimisht ishte ndarë nga turma e njerëzve për tu ekzekutuar në ditën kritike.

Tutje, dëshmitari Kasniqi tha se pas masakrës kishin shkuar me të afërmit e tij për t’i varrosur trupat e të vdekurve.

Më pas, seanca u ndërpre, ndërsa e radhës mbetet e pacaktuar.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 29 mars 2022, Muhamet Alidemaj po ngarkohet se gjatë periudhës kohore 24 mars 1999 – 11 qershor 1999, gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka shkelur rëndë rregullat e së drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës kundër popullsisë civile dhe pasurisë së tyre.

Sipas aktakuzës, Alidemaj më 28 mars 1999 në fshati Izbicë, ka marrë pjesë dhe ka kontribuar në vrasjen e popullsisë civile, ashtu që në orët e hershme të mëngjesit në vendin e quajtur “Malet e Stejevcit”, në kodrën e rrugës Kërrninë – Belicë, së bashku me forcat ushtarake dhe policore serbe në të cilën bënin pjesë edhe Ivo Obradovic, Stanoje Shkerkiq, Sasha Vidiq, Milenko Miletiç, Sava Shkerkiq, Ranko Shkerkiq, Bogoljub Miletiq, Ivica Vidiq, Bane Shkerkiq si dhe persona të tjerë ende të paidentifikuar, së bashku me pjesëtarët e tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, shkojnë tek vendi – livadhi ku ishin të grumbulluar popullsia civile e fshatit Izbicë dhe fshatrave të tjera përreth, me dhunë i ndajnë gratë dhe fëmijët nën moshën 12-vjeçare dhe dhunshëm i detyrojnë që të shkojnë në drejtim të Shqipërisë.

Ndërsa, burrat e mbetur thuhet se i ndajnë në tri grupe, duke i dërguar secilin grup në një vend të caktuar dhe i ekzekutojnë me armë automatike duke i vrarë 130 persona, prej të cilëve 114 viktima u identifikuan, emrat e të cilëve janë paraqitur në shtojcën 1 të kësaj aktakuze, kurse 12 civilë i mbijetuan ekzekutimit, emrat e të cilëve gjenden në shtojcën 2 të kësaj aktakuze, ashtu që trupat e cilëve të vrarë pas 2-3 dite ishin varrosur nga fshatarët.

Tutje, sipas aktakuzës thuhet se përafërsisht pas dy muajve të vitit 1999, i akuzuari Alidemaj së bashku me pjesëtarët e tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, u kthyen sërish në fshat, i zhvarrosën trupat me ekskavator dhe i larguan duke i transportuar me disa kamionë në drejtim të panjohur, ndërsa pas përfundimit të luftës trupat e viktimave u gjetën në varreza masive në Batajnicë të Serbisë, në fshatin Suhodoll të Mitrovicës dhe në fshatin Novolan të Vushtrrisë.

Më tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Alidemaj së bashku me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në trajtimin çnjerëzor, cenimin e integritetit trupor dhe të shëndetit, zhvendosje, grabitje dhe shkatërrimin e pasurisë së popullsisë civile të fshatit Izbicë dhe fshatrave përreth, ashtu që fillimisht i detyruan me dhunë civilët shqiptarë që të largoheshin nga shtëpitë e tyre duke i kërcënuar ata me armë dhe i grumbulluan në një livadh në mes të fshatit.

Me ç‘rast, i akuzuari Alidemaj thuhet se së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, e thirrën të dëmtuarën Xhemile Osmanaj që të dalë nga turma e njerëzve ku ishin grumbulluar, fillimisht nën kërcënimin e armës ia morën 1 mijë marka gjermane, pastaj nën tytën e armës në shpinë, e detyruan që t’iu prijë gjatë kontrollit të shtëpisë së saj.

Më pastaj, aktakuza thotë se i pandehuri Muhamet Alidemaj e goditi me shuplakë në fytyrë tek dera e shtëpisë dhe e urdhëruan që të shkojë tek turma e civilëve të grumbulluar në livadh, kurse civilëve të tjerë iu konfiskuan të gjitha sendet e tyre personale me vlerë, i rrahën rëndë disa nga meshkujt, i detyruan me dhunë gratë dhe fëmijët të largoheshin në drejtim të Klinës, duke iu thënë të shkojnë në Shqipëri, si dhe nën kërcënimin e armëve ua grabitën çdo gjë me vlerë monetare dhe në fund i shkatërruan dhe i dogjën shtëpitë e fshatit Izbicë.

Me këtë, akuzohet se në bashkëkryerje, e ka kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, aktualisht i sanksionuar sipas veprës penale “Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët për konventat e Gjenevës”, nga neni 146, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat