Vuçiç, “i përkëdheluri” i Perëndimit, si po e përdorin SHBA dhe BE presidentin serb për të zgjidhur çështjen e Kosovës

Lajme

Vuçiç, “i përkëdheluri” i Perëndimit, si po e përdorin SHBA dhe BE presidentin serb për të zgjidhur çështjen e Kosovës

Më: 10 qershor 2023 Në ora: 12:10
Aleksandër Vuçiç

Pas tensioneve në veri të Kosovës ku u regjistruan përplasje të dhunshme mes policisë kosovare dhe serbëve lokalë për shkak të bë betimit të tre kryetarëve shqiptarë të komunave të Leposaviçit, Zubin Potokut, dhe Zveçanit, diçka ka qenë më se e qartë. Perëndimi duket se është rreshtuar krahas Serbisë, duke dënuar ashpër sjelljen e palës kosovare, madje duke fajësuar kryeministrin Albin Kurti, për nxitjen e tensioneve dhe provkimeve. Mirëpo, hezitimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për ta goditur Serbinë duket se fsheh nga pas një sërë arsyesh.

Disa ekspertë mendojnë se vjen për shkak të tentativës që atë ta shkëpusin përfundimisht nga ndikimi rus e kinez. Ndërsa disa të tjerë, mendojnë se Perëndimi po e toleron Vuçiç, pasi e shikon si të vetmen mundësi për të zgjidhur çështjen e Kosovës, pa mundur të gjejnë një figurë të përshtatshme nga opozita e vendit.

Humbja e besueshmërisë

Analisti politik Boshko Jakshiç ka thënë se Aleksandër Vuçiç si president i Serbisë ka humbur besueshmërinë në opinionin e brendshëm opozitar dhe se Perëndimi po e mban për shkak të zgjidhjes së çështjes së Kosovës.Jakshiç tha se askush nga partitë politike opozitare nuk dëshiron të bisedojë me të. “Thirrjet e Vuçiçit për dialog janë të vonuara dhe joserioze. Në fjalinë e parë ai bën thirrje për bisedime për bashkim, ndërsa në fjalinë tjetër i quan kundërshtarët politikë më të këqijtë të mundshëm. Në Serbi ka kohë që është krijuar një atmosferë në të cilën nuk ka kushte për dialog mes qeverisë dhe opozitës”, tha ai.

Ai shtoi se është e pamundur të dialogosh me një person që po ndërton kultin e tij të personalitetit. “Kulti i personalitetit nuk ka të bëjë fare me komunitetin dhe bashkimin, përveçse në rastin e një diktature”, tha Jakshiç. I pyetur nëse Vuçiç si president i vendit do ta rifitojë kredibilitetin e tij me formimin e Lëvizjes Popullore për Shtetin, Jakshiç tha se nuk ka më ndihmë për Vuçiçin. “Formimi i asaj lëvizjeje është një manovër transparente që do të bashkojë një pjesë të botës, sërish nën kontrollin e tij, por nuk do të ndihmojë dialogun e përgjithshëm që është më se i nevojshëm për Serbinë. Vuçiç e ka humbur besimin e popullit dhe tani është përballur me rezultatet e punës së tij”, theksoi Jakshiç.

Çështja e Kosovës

I pyetur se si do të ndikojë rënia e besueshmërisë së Vuçiçit në pozicionin e tij në negociatat me ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, Jakshiçtha se Perëndimi po e mban Vuçiçin vetëm për shkak të Kosovës. “Perëndimi ende e pranon Vuçiçin si partner legjitim në bisedimet për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Perëndimit i duhet ai për të kryer detyrën për të cilën dikur ishte projektuar dhe të cilën ai premtoi se do ta përmbushte. Perëndimi beson se Vuçiç është i detyruar ta realizojë atë që u ka premtuar në lidhje me Kosovën”, ka thënë komentuesi.

Ai shtoi se Perëndimi e mbështet Vuçiçin edhe për shkak të pamundësisë së tij për të gjetur bashkëpunëtorë adekuat brenda opozitës për çështjen e Kosovës. “Kosova tani është mburoja më e madhe politike për qeverisjen e Aleksandër Vuçiçit”, ka përfunduar Jakshiç.

“Përkëdheljet” e Perëndimit

Ndërsa ish-diplomati Daniel Serwer ka thënë se amerikanët dhe evropianët duket se kanë vendosur se është më e rëndësishme të “joshin” Serbinë për t’u kthyer nga Perëndimi, sesa të jenë ndihmues për Kosovën. “Perëndimi e do një Serbi të shkëputur nga Moska dhe Pekini. Por kjo nuk po funksionon. Duhet gjithashtu t’i bëhet presion Beogradit. Mendoj se presioni ndaj kryeministrit Kurti vjen nga dy burime, i pari është jofleksibiliteti aktual, kurse i dyti, armiqësia e gjatë ndaj tij në Washington”, ka thënë Serwer.

Veç lidhjes me situatën në Ukrainë, sipas Serwerit, ka edhe zhvillime tjera për të cilat SHBA-ja e BE-ja janë duke “e ledhatuar” Serbinë.

“Njëri motiv duket të jetë fakti se Serbia po dërgon armë në Ukrainë dhe kjo me gjasë i shtyn SHBA-në dhe BE-në të hezitojnë për ta goditur Vuçiçin. Por, nuk besoj se ky është motivi kryesor. Mendoj se motivi kryesor veçanërisht i amerikanëve është premtimi se Serbinë mund ta kthejnë Perëndimi”, theksoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat