Përmend rrëmbimin e vëllezërve Bytyqi në vitin 1999, Kandiq: Serbia t’i kthejë policët në Kosovë

Lajme

Përmend rrëmbimin e vëllezërve Bytyqi në vitin 1999, Kandiq: Serbia t’i kthejë policët në Kosovë

Më: 15 qershor 2023 Në ora: 00:27
Natasha Kandiq

Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, ka reaguar ndaj rrëmbimit të tre policëve kosovarë nga forcat serbe.

Kandiq ka thënë se MUP-i serb duhet t’i kthejë policët e rrëmbyer në Kosovë.

“MUP t’i kthejë policët kosovarë në Kosovë, me besimin se nuk e dinin se kishin kaluar kufirin dhe në shenjë kujtimi të fatit të vëllezërve Bytyqi, të cilët kaluan kufirin duke ndihmuar romët për të kaluar në Serbi dhe kurrë më nuk u panë të gjallë”, ka shkruar Kandiq në Twitter.

Ndryshe, tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë kidnapuar më 14 qershor nga forcat serbe në afërsi të vijës kufitare, në brendi të territorit të Kosovës.

Policia e cilësoi këtë si “kidnapim klasik të organizuar” brenda territorit të Kosovës, kurse në Beograd u tha se ata janë arrestuar nga njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Serbisë, në komunën e Rashkës.

Ngjarja, sipas Policisë së Kosovës ka ndodhur mesditën e së mërkurës, kur ata dyshohet se janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat