PK: Nëntë gazetarë të cilët ishin në detyrë u sulmuan në Leposaviq, iu dëmtuan pajisjet

Lajme

PK: Nëntë gazetarë të cilët ishin në detyrë u sulmuan në Leposaviq, iu dëmtuan pajisjet

Më: 16 qershor 2023 Në ora: 18:15
Foto ilustrim

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se sot me datën 16 qershor 2023, pranë komunës së Leposaviqit nga persona të dyshuar është sulmuar me mjete të ndryshme (ngjyrë), automjeti zyrtar i cili ishte në shoqërim të ministrit të Ministrisë për Administrim të Pushtetit Lokal të RKS-së, i cili ishte në dalje nga komuna e Leposaviqit pasi i njëjti ka qenë me detyrë zyrtare në komunë.

Po ashtu në afërsi të komunës së Leposaviqit nga individ/grupe kriminale është hedhur një mjet, dyshohet shok bombë, si dhe janë sulmuar fizikisht në mënyrë brutale disa gazetarë të mediumeve të ndryshme të Kosovës.

Bazuar në informacionet e deritanishme bëhet fjalë për nëntë gazetarë të sulmuar të cilët kanë qenë me detyrë zyrtare duke përcjellë zhvillimet pranë komunës së Leposaviqit, ku disa prej tyre përveç shqetësimeve kanë pësuar edhe lëndime të ndryshme trupore, si dhe kanë pranuar tretman mjekësor”, thuhet në njoftimin e policisë.

Përveç sulmeve fizike dhe dhunës së ushtruar ndaj gazetarëve, atyre iu janë dëmtuar pajisje të ndryshme të xhirimeve, ku njërit prej tyre iu është grabitur kamera zyrtare e mediumit, përderisa tjetrit iu është grabitur një telefon celular.

Policia e Kosovës thekson se pengimi i gazetarëve në kryerje të detyrës, cenimi i shprehjes së lirë, pengimi i pasqyrimit të situatës reale, sulmet e dhuna fizike, si dhe dëmtimi i automjeteve dhe i pajisjeve zyrtare janë veprime kriminale të cilat do të hetohen nga Policia e Kosovës.

Në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, janë iniciuar rastet sulm ndaj personave zyrtarë, asgjësim apo dëmtim i pronës dhe lëndim trupor”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat