Janjiq për shpalljen e organizatave terroriste: Jam i sigurt se përgjigjja e Perëndimit do të jetë e ashpër

Lajme

Janjiq për shpalljen e organizatave terroriste: Jam i sigurt se përgjigjja e Perëndimit do të jetë e ashpër

Më: 30 qershor 2023 Në ora: 09:55
Dushan Janjiq

Qeveria e Kosovës ka vendosur që “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut” t’i shpallë organizata terroriste. Analisti politik serb, Dushan Janjiq, beson se ky është një vendim politik, “përgjigja më e keqe e mundshme”, e cila mund të çojë në një dekret që do të vendoste një “gjendje speciale policore” dhe të provokojë demonstrata të reja dhe arrestime të serbëve. Ai beson se incidentet e fundit në veri “vështirë se mund të vihen nën aktin e terrorizmit”, por edhe se EULEX-i dhe KFOR-i nuk e kanë përkrahur miratimin e një vendimi të tillë nga qeveria e Kosovës dhe pret një “përgjigje të ashpër”.

Analisti politik, Dushan Janjiq, thotë se nuk është i befasuar nga vendimi i qeverisë së Kosovës për të shpallur organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”.

Megjithatë, ai pretendon se ky është një vendim politik dhe se do të shohim nëse është e mundur që vendimet politike të kthehen në ligj.

Ai ka thënë se “kjo është një barrë e madhe për Kuvendin e Kosovës dhe publikun e Kosovës”.

“Nëse ka dashur të bëjë vetëvrasje politike, nuk duhej të përfshinte parlamentin”, pretendon Janjiq.

Ai thekson se Kurti nuk mund të ndryshojë ligjin pa Kuvendin.

Që një gjë e tillë të ndodhë, nuk mjafton të shpallen dy organizata terroriste.

“Ka norma të tjera në lidhje me luftën kundër terrorizmit – për shembull, vepra penale e terrorizmit, por këtu kemi të bëjmë me dy organizata të veçanta që qeveria i shpall terroriste vetëm me dekret duke iu referuar këtij ligji”, shpjegon Janjiq.

Ai thotë se do ta kuptonte nëse Qeveria e Kosovës do të thoshte se “dy grupe kanë qenë aktive për një kohë dhe kanë bërë ndonjë punë parapolicore”.

“Ky do të ishte një kualifikim i vërtetë. Por problemi është se me ligjet e Kosovës nuk është përcaktuar – ekzistimi i parapolicisë, dhe e dyta – që qeveria i ka toleruar ata, nëse kanë vepruar, dhe ne e dimë se ato kanë ekzistuar edhe më parë. Dhe ata ishin më të pranishëm publikisht që nga viti 2022, pikërisht nga momenti kur kjo qeveri filloi politikën e famshme të reciprocitetit”, ka thënë Janjiq.

“SHBA qysh në vitin 2022 ka paralajmëruar se do të zgjidhet problemi i strukturave parapolicore. Atëbotë askush nuk i ka përmendur terroristët, madje as kur janë përmendur pjesëtarët e Wagnerit dhe ata të cilët janë trajnuar nga Wagneri”, ka thënë Janjiq.

Ai pretendon se qeveria e Kosovës me një dekret të tillë sigurisht që nuk mund të marrë verifikimin, por edhe bashkëpunimin e autoriteteve ndërkombëtare në ndjekjen e terrorizmit.

“Unë mendoj se Kosova ka disa lidhje me EULEX-in dhe me NATO-n – KFOR-in. Absolutisht nuk besoj se këto institucione, ndoshta kanë qenë të informuara, por që e kanë përkrahur – nuk ma merr mendja”, ka thënë Janjiq.

Ai pretendon se nuk sheh asnjë argument që mund të arsyetojë një vendim të tillë.

Le të presim, jam i sigurt se përgjigja do të jetë e ashpër. Sa i përket besueshmërisë së NATO-s, KFOR-it dhe EULEX-it, kjo është një goditje e drejtpërdrejtë në ta. Sepse mesazhi këtu është se ata kanë lejuar ekzistencën e organizatave terroriste që nga viti 2017”, ka pretenduar Janjiq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat