Kryeministri Kurti vizitoi punimet e projektit të zgjerimit të rrugës nacionale Prishtinë-Podujevë

Lajme

Kryeministri Kurti vizitoi punimet e projektit të zgjerimit të rrugës nacionale Prishtinë-Podujevë

Më: 3 korrik 2023 Në ora: 12:06
Foto nga vendi i ngjarjes

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar punimet e zgjerimit të Rrugës Nacionale N25, Prishtinë-Podujevë.

Rruga Prishtinë - Podujevë është e vjetër gjysmë shekulli dhe ka qenë nevojë e kamotshme e trevës së Llapit që të lidhet me kryeqytetin në mënyrë efikase, pra të shpejtë e të sigurte, tha Kryeministri Kurti, duke shtuar se do të bëjmë çmos që kjo rrugë të përfundojë sa më parë. Ai theksoi se tash jemi në rrugë të mbarë për të përfunduar këtë zgjerim i cili është i rëndësishëm pra jo vetëm për shpejtësinë e lidhjes me kryeqytet por edhe për sigurinë e të gjithë udhëtarëve, pasi siç veçoi ai, këto vitet e shkuara kemi pasur shumë aksidente me fatalitet.

Bashkë me Ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, zëvendësministrin e kësaj ministrie, Hysen Durmishin si dhe me Kryetarin e Komunës së Podujevës Shpejtim Bulliqin, Kryeministri pa nga afër punimet e rrugës me gjatësi 15 kilometra, projekt në vlerë 35 milionë euro.

Kryeministri Kurti përgëzoi ministrin Aliu dhe zëvendësministrin Durmishi për angazhimin për përgatitjet dhe planifikimin, meqë ngecja e madhe ka ekzistuar pikërisht për shkak se kanë hyrë në ekzekutim pa planifikim e pa përgatitje.

Ministri Liburn Aliu dha detaje për këtë projekt duke treguar se projekti i zgjerimit të rrugës Prishtinë-Podujevë është projekt i cili i ka 5 lote, ku 4 lotet janë zgjerim të rrugës ekzistuese, ndërsa loti i pestë është finalizim i tashmë lotit të mëhershëm që është nga Lluzhani deri në Podujevë.

Jemi të përkushtuar dhe të vendosur që kjo rrugë të kryhet në kohë, që të kemi cilësi të punimeve e paralelisht me këtë edhe për projekte të tjera, për ato të cilat kemi pas ngecje të vazhdueshme nga e kaluara të cilat janë duke u zgjidh një për një, e po ashtu edhe për projektet e reja që presin të fillojnë dhe të na vijnë në muajt në vijim’’ u shpreh ai.

Kurse, zëvendësministri Durmishi shtoi se ky është projekti i parë që ne si Ministri e realizojmë me të gjitha fazat, prej fazës së projektimit e deri në ekzekutim të punimeve, dhe i kemi marrë të gjitha masat që ky projekt të realizohet me dinamikë të shtuar brenda afateve që janë të përcaktuara në kontratë në mënyrë që të mos kemi zvarritje.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, duke falënderuar Qeverinë e Kosovës për këtë mundësi të madhe për qytetarët, tha se ky është një projekt i shumëpritur, për arsye se kjo rrugë, pati shkaktuar shumë vështirësi në qarkullim, për shkak të numrit të madh të automjeteve dhe qytetarëve, të cilët lëvizin në drejtim të Prishtinës.

Deklarimi i plotë i Kryeministrit Kurti:

Bashkë me Ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe me Zëvendësin e Ministrisë, Zëvendësministrin pra Hysen Durmishin si dhe me kryetarin e komunës së Podujevës profesor Shpejtim Bulliqin, sot vizituam disa pika përgjatë rrugës e cila po zgjerohet dhe me gjatësi të gjithmbarshme rreth 15 kilometra në llote të ndryshme. Së pari te pika ku nga Bernica  lidhemi te rrethrrotullimi me autostradë, pastaj prej aty në Vranidollë, Vranivollë- Lupç, Lupç –Lluzhanë. Inspektuam punimet, pamë hartat dhe gjithashtu bashkëbiseduam me punëtorët dhe me ngasësit e makinerisë për punën që janë duke e kryer dhe e cila ka vlerën e gjithmbarshme prej rreth 35 milionë euro.

Rruga Prishtinë - Podujevë është e vjetër gjysmë shekulli dhe ka qenë nevojë e kamotshme e trevës së Llapit që të lidhet me kryeqytetin në mënyrë efikase, pra të shpejtë e të sigurtë, dhe do të bëjmë çmos që kjo rrugë të përfundojë sa më parë. Natyrisht që numri i ditëve është  rreth numrit të ditëve që ka viti që nevojiten si ditë pune për t’u përfunduar kjo, por tash jemi në rrugë të mbarë për të përfunduar këtë zgjerim i cili është i rëndësishëm pra jo vetëm për shpejtësinë e lidhjes me kryeqytet por edhe për sigurinë e të gjithë udhëtarëve siç ka treguar këto vitet e shkuara ku kemi pasur shumë aksidente me fatalitet, andaj unë e përgëzoj edhe ministrin Liburn Aliu edhe zv/ministrin Hysen Durmishi për angazhimin që e kanë bërë dhe për përgatitjet dhe planifikimin sepse ngecja e madhe ka ekzistuar pikërisht për shkak se kanë hyrë në ekzekutim pa planifikim e pa përgatitje. Tash ne e rikuperuam me shpejtësi maksimale dhe do të bëhet zgjerimi i rrugës.  Do të vazhdojmë natyrisht edhe me një vizitë tjetër që do t’ia bëjmë edhe zgjerimit të rregullimit të rrugës Prishtinë Mitrovicë e cila paraqet gjithashtu një arterie shumë të rëndësishme për shtetin e Kosovës dhe për popullin tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat