Ambasadori rus në Serbi: Pajtohemi me Vuçiqin për situatën e “padurueshme” në Kosovë

Lajme

Ambasadori rus në Serbi: Pajtohemi me Vuçiqin për situatën e “padurueshme” në Kosovë

Më: 7 korrik 2023 Në ora: 10:10
Aleksandar Botsan-Kharchenko

Ambasadori rus në Serbi Aleksandar Botsan-Kharchenko ka pretenduar se Rusia plotësisht pajtohet me vlerësimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për situatën e “pa tolerueshme” në Kosovë, duke shtuar se “ekzistojnë të gjitha arsyet për të diskutuar situatën në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së me qëllim të përfundimit të persekutimit të serbëve”.

“Ndajmë plotësisht vlerësimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në lidhje me situatën e pa tolerueshme në Kosovë dhe Metohi. Ekzistojnë të gjitha arsyet për të shqyrtuar situatën në një mbledhje të posaçme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së me qëllim të deeskalimit real duke i dhënë fund persekutimit të serbëve”, ka shkruar Botsan-Kharchenko në Twitter.

Ai ka shtuar se “Rusia angazhohet që çështja e Kosovës të zgjidhet brenda kornizës juridike ndërkombëtare të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së” me, siç pretendon ai, “transparencë të plotë dhe objektivitet në qasjen e të gjithë pjesëmarrësve”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar dje në adresimin e tij të jashtëzakonshëm popullit, i cili adresim më tepër dukej si “vajtim” se “aksioni i persekutimit të serbëve nga Kosova dhe spastrimi etnik është në vazhdim dhe se është i organizuar mirë nga autoritetet e Kosovës i përkrahur nga Perëndimi”.

Ai po ashtu ka thënë se javën e ardhshme do të kërkojë takim urgjent me kreun e NATO-s, Jens Stoltenberg, nëse, siç tha, “ai pranon të takohet me mua”, të “ankohet” për situatën dhe menjëherë pas kësaj, Serbia do të kërkojë, për herë të parë në këtë mënyrë thirrjen e mbledhjes urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së “duke pasur parasysh se jetët e serbëve janë në rrezik”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat