Ambasada e Kosovës në ShBA: Vrasësit e vëllezërve Bytyqi dhe ata që mbuluan krimin për 24 vjet të japin llogari

Lajme

Ambasada e Kosovës në ShBA: Vrasësit e vëllezërve Bytyqi dhe ata që mbuluan krimin për 24 vjet të japin llogari

Më: 8 korrik 2023 Në ora: 09:29
Vdekja e vëllezërve Bytyqi

Ambasada e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka kërkuar zbardhjen e rastit të vrasjes së vëllezërve Bytyqi, të cilët u vranë 24 vjet më parë.

Në postimin e ambasadës, thuhet se është e pafalshme që deri më tani asnjë individ nuk është dënuar për këtë rast dhe se përgjegjësit për këtë krim dhe mbulimin e tij gjatë 24 viteve të fundit duhet të mbajnë përgjegjësi.

“Ende nuk ka drejtësi për vrasjen e Yllit, Agronit dhe Mehmet Bytyqit. Është e pafalshme që deri më tani asnjë individ nuk është dënuar për ekzekutimin e vëllezërve Bytyqi në Serbi. Ata që janë përgjegjës për këtë krim dhe mbulimin e tij gjatë 24 viteve të fundit duhet të mbahen përgjegjës”, thuhet në postimin e ambasadës.

Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi u vranë në korrik të vitit 1999 në Serbi, pas luftës në Kosovë.

Ata luftuan si pjesë e “Brigadës së Atlantikut” në krah të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë luftës në Kosovë, ndërkaq u arrestuan pas përfundimit të bombardimeve të NATO-s në vitin 1999, në kufirin me Kosovën, për kalim ilegal në Serbi.

Pas vuajtjes së dënimit për kundërvajtje prej 15 ditësh, ata u liruan nga burgu, por policia serbe i dërgoi në bazën e Njësive Speciale Antiterroriste të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në Petrovo Sellë, e cila ishte nën komandën e Goran Radosavleviq Gurit.

Radosavleviq hodhi poshtë çdo përgjegjësi për vdekjen e vëllezërve Bytyçi.

Trupat e tyre, me duar të lidhura dhe plagë nga plumbat e shkrepur në pjesën e pasme të kokës, u zbuluan në korrik të vitit 2001 në një varrezë masive në Petrovo Sellë, në Serbinë lindore, së bashku me trupat e tjerë të shqiptarëve të Kosovës.

Në korrik të vitit 2022, Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit të Shteteve të Bashkuara miratoi Rezolutën për rastin e vrasjes së shtetasve të saj, vëllezërve Bytyçi, në vitin 1999 në Serbi.

Në rezolutë është theksuar se “individët përgjegjës për vrasjet e qytetarëve amerikanë në Serbi, në korrik të vitit 1999, duhet të sillen para drejtësisë” dhe se SHBA-ja duhet “investojnë burime të mjaftueshme për të ndihmuar dhe monitoruar plotësisht përpjekjet e Serbisë për të hetuar dhe ndjekur penalisht persona të tillë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat