“Situata po del jashtë kontrollit”, Rusia hedh akuza të rënda ndaj Kosovës – mbështet këtë kërkesë të Vuçiqit

Lajme

“Situata po del jashtë kontrollit”, Rusia hedh akuza të rënda ndaj Kosovës – mbështet këtë kërkesë të Vuçiqit

Nga: A.M. Më: 8 korrik 2023 Në ora: 13:29
Policia e Kosovës. Fotografi ilustruese.

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Marija Zakharova, ka vlerësuar iniciativën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për mbajtjen e një seance të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për shkak të përkeqësimit të situatës në Kosovë, duke treguar se ekziston një kërcënim i menjëhershëm për mbijetesën e serbëve të Kosovës, raporton Kosovo-online, transmeton “Bota sot”.

"Moska është e shqetësuar nga një tjetër përshkallëzim i dhunës në provincën autonome serbe të Kosovës. Situata po del jashtë kontrollit, ekziston një rrezik i drejtpërdrejtë për mbijetesën e popullit serb", tha Zaharova, duke shtuar se iniciativa e Vuçiqit është në kohën e duhur.

Sipas saj, arsyeja është “politika e spastrimit etnik, pogromit, dëbimit dhe terrorit ndaj serbëve të udhëhequr nga autoritetet shqiptare të Kosovës dhe se e gjithë kjo po ndodh me mbështetjen e plotë të SHBA-së dhe BE-së”.

"Në vend të kësaj, kryeqytetet perëndimore po kërkojnë mënyra të reja për të ushtruar presion mbi Beogradin dhe popullin serb, duke sajuar akuza të paturpshme, duke përfshirë ato kundër përfaqësuesve të Kishës Ortodokse Serbe. Rusia ndan të njëjtin mendim me Presidentn e Serbisë për situatën aktuale të krizës", theksoi ajo.

Zyrtarja ruse tha se çdo hap drejt zgjidhjes së krizës në Kosovë, si dhe dialogu ndërmjet palëve të interesuara, duhet të bëhet në kuadër të së drejtës ndërkombëtare dhe në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Vuçiq tha se Beogradi do të thërrasë një seancë urgjente në Këshilli të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për shkak të situatës në Kosovë dhe se do të kërkojë marrjen e masave të menjëhershme për mbrojtjen e jetës së serbëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat