Hasani: Opinioni i GJND-së për pavarësinë nuk u kapitalizua mjaftueshëm nga Kosova

Lajme

Hasani: Opinioni i GJND-së për pavarësinë nuk u kapitalizua mjaftueshëm nga Kosova

Më: 22 korrik 2023 Në ora: 19:28
Enver Hasani

Pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi se shpallja e pavarësisë nuk e shkeli të drejtën ndërkombëtare, u shprehën pritje se më nuk do të ngurrohej të pranohej Kosova shtet. Por ritmi i tyre u ngadalësua. Profesori Enver Hasani thekson se opinioni i GJND-së nuk u kapitalizua mjaftueshëm nga Kosova dhe argumenton se nuk është vendim i duhur nisma e Qeverisë për ta paditur Serbinë për gjenocid në këtë gjykatë.

13 vjet më parë u vulos statusi i Kosovës. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dha opinionin se shpallja e pavarësisë nuk ka qenë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Pritjet ishin se vendimi do të pasohej me njohje ndërkombëtare në masë, por ritmi i tyre u ngadalësua pak vite më vonë, e Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, e cila e mori në konsideratë opinionin, kërkoi dialog për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Hasani, ka vlerësuar se mendimi i GJND-së nuk u kapitalizua mjaftueshëm nga Kosova.

“Pas shpalljes së pavarësisë dhe intervenimit të NATO-s është ndihma më e madhe e perëndimit që ia ka bërë Kosovës. Dhe, është marrë si e mirëqenë, si të thuash nuk është lobuar te vendet tjera për ta treguar thelbin e vendimit. Është marrë si e mirëqenë dhe kjo ka qenë gabim”, ka thënë Hasani.

Në këtë mandat qeverisës, Kosova synon që në GJND ta zhvillojë një tjetër betejë ligjore me Serbinë. Qeveria ka në plan që para aty ta paraqesë një padi për gjenocid kundër fqinjit verior, për mizoritë e kryera në shqiptarë dy dekada më parë. Prej rreth një viti është formuar një grup ekspertësh, për ta hartuar padinë.

Profesori Hasani e ka vlerësuar hap të gabuar këtë.

“Në qoftë se vërtetë ngrihet padi kundër Serbisë është shërbimi më i madh që mund t’i bëhet shtetit serb sepse një hap i tillë do ta zhvlerësonte vendimin e GJND-së për pavarësi dhe ne efektivisht do të bëheshim një me një, nëse merremi me terma sportivë, për shkak se është e sigurt që ajo padi është gjykuar që të dështojë”, ka deklaruar ai.

Kroacia dhe Serbia kishin paraqitur padi për gjenocid kundër njëra-tjetrës, për luftërat e zhvilluara gjatë viteve ’90, por GJND-ja dha verdiktin se asnjëra nuk kishte kryer krim të këtillë. Por, e njëjta gjykatë ka konstatuar se përbën gjenocid vrasja e rreth 8 mijë myslimanëve të Bosnjë-Hercegovinës në Srebrenicë. Sipas GJND-së, Serbia nuk e kishte parandaluar, por ka thënë se mungonin provat e mjaftueshme për ta bërë përgjegjës këtë shtet për gjenocidin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat