Heqja e gurit përkujtimor "Nëna Pashke", reagon Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë

Lajme

Heqja e gurit përkujtimor "Nëna Pashke", reagon Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë

Më: 24 korrik 2023 Në ora: 15:32
Guri përkujtimor "Nëna Pashke"

Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDHK) përmes një reagimi publik, ka shprehur keqardhje për heqjen e gurit përkujtimor të nënës Pashke Markaj në Korenicë të Gjakovës.

Në reagim thuhet se “ky gurë ishte vendosur në vitin 2004, si një formë memorializimi për ngjarjen tragjike të vetëflijimit të nënës Pashke, e cila dogji veten pasi varrosi dy djemtë e saj të cilët ishin zhdukur më 27 prill 1999 dhe trupat e tyre ishin gjetur në varrezat masive në Batajnicë”.

“Memorializimi, si një mjet për pasurimin e kujtesës kolektive të shoqërisë, luan një rol të rëndësishëm në ballafaqimin me të kaluarën, përmes përkujtimit të ngjarjeve të së kaluarës dhe duke kujtuar e nderuar viktimat. Gjithashtu, memorializimi kontribuon në edukimin, ndërgjegjësimin dhe reflektimin e shoqërisë lidhur me ngjarjet e së kaluarës”, thuhet në njoftim.

FDHK fton institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës që të formojnë një komision professional për trajtimin dhe vlerësimin e të gjitha memorialeve në Kosovë, përfshirë ato të ngritura nga nisma dhe në hapësira private.

“Memorialet e vlerësuara nga ky komision si të rëndësishme në përkujtimin e së kaluarës, me theks te veçantë në përkujtimin e dinjitetshëm të viktimave, duhet të merren nën përkujdesjen e institucioneve përkatëse shtetërore, përkatësisht nën menaxhimin e Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale”.

Ndryshe, guri përkujtimor i nënë Pashke Markut, e njohur si “Nëna Pashke”, një simbol i një tragjedie kombëtare, është hequr nga vendi ku ishte vendosur në Korenicë të Gjakovës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat