Këmbanat bien për Vuçiçin, SHBA “i tërheq veshin” - ky është plani perëndimor për të zgjidhur çështjen e Kosovës

Lajme

Këmbanat bien për Vuçiçin, SHBA “i tërheq veshin” - ky është plani perëndimor për të zgjidhur çështjen e Kosovës

Më: 25 korrik 2023 Në ora: 10:17
Aleksandar Vuçiç

Prej kohësh, sidomos pas tensioneve në veri të Kosovës, kudo u krijua ideja se Perëndimi ishte rreshtuar krahas Serbisë. Madje, presidenti serb u konsiderua si “i përkëdheluri i Amerikës”, pasi deri në një farë pike, Vuçiç dukej “imun” nga çdo kritikë apo goditje nga SHBA. Mirëpo, hezitimi për ta goditur Serbinë duket se fshihte nga pas një sërë arsyesh. Disa ekspertë mendonin se vjen për shkak të tentativës që atë ta shkëpusin përfundimisht nga ndikimi rus e kinez.

Ndërsa disa të tjerë, se Perëndimi po e toleronte Vuçiç, pasi e shikon si të vetmen mundësi për të zgjidhur çështjen e Kosovës, pa mundur të gjejnë një figurë të përshtatshme nga opozita e vendit. Megjithatë, duket se gjithçka ka ndryshuar nga sanksionimi i Aleksandër Vulin, drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA), nga Departamenti amerikan i Thesarit. Sipas Edward P. Joseph, një ekspert i politikës së jashtme amerikane dhe pedagog në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, vendimi i administratës së Biden për të sanksionuar Vulin mund të jetë një “pikë kthese” dhe se më në fund qëndrimi amerikan ka ndryshuar.

Mesazhet e SHBA

Presidenti serb u duk se “mori kusuret” e Vulin, kur tha se sanksionet ishin “përgjegjësi e tij”. Ai tha se arsyet e sanksioneve "nuk janë krimi, por marrëdhënia e Vulin me Federatën Ruse". Megjithatë, sërish është treguar “kokëfortë”, dhe kurrsesi nuk ka pranuar ta shkarkojë Vulinin. Nuk dihet nëse qëndrimi i tij do të ndryshojë, me ndryshimin e qëndrimit të SHBA. Ndonëse DASH ka theksuar se këto sanksione janë ndaj individit, jo Serbisë, ka shumë deklarata dhe indikacione, që tregojnë se diçka fshihet përtej asaj që zgjedh Amerika të tregojë. Së fundmi, Senatori amerikan Chris Murphy tha se sanksionimi i Vulin është paralajmërim për Serbinë, që me sjelljet e saj po rrezikon integrimin europian. Ai tha se nëse Serbia dëshiron vërtet një të ardhme evropiane, nuk mund të ketë një shef të inteligjencës që komunikon hapur me Rusinë. “Unë do të doja që Vuçiç të shihte se sa i rrezikshëm është Vulin”, tha Murphy në një intervistë për Zërin e Amerikës. 

Ndërsa, kryeredaktori i gazetës “Nova”, ka treguar se ky është një lloj presioni që po i bëhet Beogradit, jo për integrimin europian, por për njohjen e Kosovës. “

“Gabimi” i Amerikës

Sipas Edward P. Joseph, “gabimi” i SHBA-së me Serbinë, është i hershëm. “Administrata Biden mori detyrën duke theksuar fuqishëm rëndësinë e demokracisë dhe përfundimisht vazhdoi qëndrimin e administratës Trump ndaj regjimit antidemokratik të Serbisë të udhëhequr nga presidenti Vuçiç. Ky është gabimi kryesor. Kjo përforcohet edhe më tej nga përpjekjet e tepërta për të qetësuar presidentin autokratik Aleksandër Vuçiç, pikërisht në momentin kur shumë serbë po ngrihen duke kërkuar respektimin e normave themelore demokratike”, thotë eksperti. “Nuk ka stabilokraci me Vuçiçin. Tensionet dhe rrëmuja janë në rritje dhe jo vetëm në Kosovë. Shihni kërcënimet e fundit të Dodik në Bosnje dhe Hercegovinë. Shikoni frikën dhe dyshimet në Mal të Zi, të cilat janë sfondi për formimin e një qeverie të re. Shihni reagimin e Vuçiçit për sanksionet e sapoparaqitura ndaj Aleksandër Vulin”, shton ai.

Paralajmërim për Vuçiç

Megjithatë, sipas tij, pas sanksionimit të Vulin, ka “disa ndryshime të dukshme në ton”. “Unë gjithashtu besoj se vendimi i administratës Biden për të sanksionuar Vulin mund të jetë një pikë kthese. Kjo mund të shënojë një vendim të vonuar prej kohësh nga SHBA për të filluar ta bëjë presidentin Vuçiç përgjegjës për politikat e tij të brendshme, rajonale dhe ndërkombëtare. Ndoshta artikulli i FP shërbeu si një katalizator për t'u zgjuar më në fund për faktin se paqëndrueshmëria, jo stabiliteti, është rezultat i një politike të butë ndaj Vuçiçit”, thekson Edward P. Joseph. “Përparimi i rëndësishëm në marrëdhëniet serbo-amerikane qëndron në përgjegjësi. Të lejosh Vuçiçin dhe përfaqësuesit e tij si Vulin të jenë të papërgjegjshëm, nuk është mënyra për të avancuar në politikë në lidhje me Rusinë, Kosovën, demokracinë serbe apo çështje të tjera të rëndësishme në marrëdhëniet serbo-amerikane”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat