Përfundimi i shkollës në Burgun e Dubravës, diplomojnë 33 të burgosur

Lajme

Përfundimi i shkollës në Burgun e Dubravës, diplomojnë 33 të burgosur

Më: 26 korrik 2023 Në ora: 21:06
Foto nga vendi i ngjarjes

33 të dënuar në Burgun e Dubravës gjatë së mërkurën kanë përfunduar vitin shkollor 2022-2023, duke marrë kështu dëftesat e diplomat. Ata u shprehën të kënaqur me aftësimet që i kanë marrë.

Në shikim të parë, duket diplomë normale e shkollës së mesme, por ai që e ka marrë e as vendi ku është përfunduar shkollimi nuk është i zakonshëm.

Faton Hajrizi është veç njëri nga shumë të dënuarit në Burgun e Dubravës, që të mërkurën përmes një ceremonie diplomuan në shkollimin para universitar.

Fatoni dhe të dënuarit e tjerë, kanë ndjekur mësimin përgjatë tri viteve, e që entuziazmin për këtë sukses nuk e fshehin aspak.

“Është kënaqësi e imja që pas 22 viteve kam arritur të kryej shkollën e mesme, gjë që e kam pas ëndërr jetësore. Të gjithë profesorët kanë qenë të shkëlqyeshëm me mua, moti e kam kërkuar të drejtën time për shkollë. Këta njerëz ma kanë dhënë mundësinë me ecë përpara dhe unë kam pas interesim, dhe ka kam lehtësuar jetën vetit në vuajtjen e dënimit, e kam kryer një shkollë që më duhet për jetën pas të dal nga burgu. “, ka deklaruar i dënuari Faton Hajrizi.

Të tjerë morën dëftesën për klasën e 10-të e të 11-të, teksa tregojnë se ndjekja e mësimeve në burg, për ta ka qenë e njëjta si me atë në liri.

“E përfundova klasën e dhjetë drejtimi makineri teknike, kemi kaluar shumë mirë, kemi qenë të angazhuar në shkollë këtu. Jena aftësuar pasi kemi kaluar mirë sikurse në liri me qenë, e kemi pas drejtorin e mirë, profesorët e mirë, skena mundur me dallua sikurse prej lirisë njëjtë, na kanë dashtë”, ka thënë një i dënuar.

Dëftesat e diplomat i morën një nga një, duke u uruar nga profesorët, dhe udhëheqësit e Shërbimit Korrektues.

E në jetën postpenale, këtë diplomë do të mund ta përdorin pa problem, pasi që sipas drejtorit të qendrës korrektuese në Dubravë, në të nuk figuron se është marrë në burg.

“Sipas mësimdhënësve, që edhe ju ishit dëshmitarë, këta të burgosur kanë treguar një rezultat të lartë, me ç’rast kanë marrë edhe diplomat. Këto diploma nuk figurojnë se kanë përfunduar shkollën në Burgun e Dubravës, mirëpo janë diploma sikurse të kryhet në një shkollë në liri”, ka deklaruar Avni Miftari, drejtor i Burgut të Dubravës.

Në këtë qendër kanë diplomuar 33 nxënës të cilët vuajnë dënimet për vepra të ndryshme penale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat