“Gjyqi” amerikan trondit Serbinë, SHBA pritet të sundojë me “dorë të hekurt” në Ballkan tani e tutje

Lajme

“Gjyqi” amerikan trondit Serbinë, SHBA pritet të sundojë me “dorë të hekurt” në Ballkan tani e tutje

Më: 27 korrik 2023 Në ora: 20:18
Joe Biden, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Për një vit e gjysmë, që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Serbia i ka rezistuar presionit perëndimor për të vendosur sanksione ndaj Rusisë. Megjithatë, siç shkruan gazeta serbe “Blic”, nuk mund të thuhet se ai presion ishte tepër i madh, pasi duket se Uashingtoni dhe Brukseli e kuptojnë së paku faktin që Serbia refuzon të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

Megjithatë, kur analizohet situata në Ballkanin Perëndimor, siç ndodhi javën e kaluar në Kongresin Amerikan, në mënyrë të pashmangshme shtrohet kjo pyetje. Gjyqi më 18 korrik, mund të tronditë të gjithë rajonin, dhe në radhë të parë Beogradin dhe Prishtinën, pasi zyrtarët perëndimorë paralajmërojnë një valë të re presioni. Kështu, kongresmeni amerikan Bill Keating tha se Serbia “nuk mund të bëjë përparim nëse bashkëpunon me Rusinë” dhe shtoi se mund të inkurajohet të ecë më tej drejt Perëndimit nga “progresi i vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor”.

Krahas kësaj, Keating pret që SHBA-të të kenë një ndikim më të fortë në këtë rajon në periudhën e ardhshme sepse, siç thotë ai, investimet amerikane inkurajojnë sipërmarrjen e lirë dhe përparimin ekonomik, ndryshe nga roli i Kinës dhe Rusisë.

Një faqe e re

Duke pasur parasysh të gjitha këto, është e qartë se Beogradi dhe Prishtina janë ende në fokusin e interesit të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, siç thotë Sreçko Gjukiç, ish-diplomat, “nuk është mirë që Serbia është në qendër të vëmendjes së politikës globale amerikane”. “Kjo nuk është shenjë e mirë, sepse Serbia do të jetë gjithnjë e më shumë objekt i vëzhgimeve, ndaj do të detyrohet të bëjë lëvizje për çështjen e Kosovës dhe marrëdhëniet me Rusinë. Duket se bonusi që pati Serbia pas fillimit të luftës në Ukrainë po i mbaron, Amerikës po i mbaron durimi. Serbia kishte shumë kohë për t'u përshtatur me situatën e re”, vlerëson Gjukiç.

Ai beson se Perëndimi dalëngadalë po “kthen një faqe të re”. “Nëse Serbia nuk është e gatshme të vendosë sanksione ndaj Rusisë, duket se politika perëndimore ka vendosur të bëjë diçka konkrete pas një sërë vitesh bisedime të vazhdueshme. Nëse SHBA do të merrte masa ekonomike, mund të shkaktonte një situatë katastrofike për Serbinë. Vendi ynë aktualisht nuk është në një situatë të mirë ekonomike dhe nëse do të na mbaronte kreditimi dhe investimet perëndimore, do të ishte një problem i madh. Çdo lloj sanksioni amerikan do të kishte pasoja katastrofike”, analizon Gjukiç.

Kur është fjala për problemin e Kosovës dhe dialogun mes tyre, Gjukiç beson se “do të jetë e vështirë për Serbinë të kthehet në gjendjen në veri të Kosovës siç ishte para dorëheqjes së kryetarëve serbë” dhe se ata duhet të presin  se çfarë do t’i ofrojë Uashingtoni dhe Prishtina.

“Shkop dhe karotë”

Nga ana tjetër, Aleksandar Ivkoviç, studiues në Qendrën për Politikë Bashkëkohore, vëren se Amerika dhe BE-ja ende duan që Serbia të vendosë sanksione ndaj Rusisë, por shton se nuk po përpiqen shumë për ta bërë këtë. “Nuk kemi parë ‘as shkop e as karotë’ nga Perëndimi në lidhje me vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë. Ne as nuk u kërcënuam me ndonjë dënim dhe as nuk na premtuan një shpërblim. Kjo është arsyeja pse Serbia tregon fleksibilitet gjatë gjithë kohës, edhe pse ka sinjalizuar se është më afër Perëndimit, me disa lëvizje të caktuara si vendosja e sanksioneve kundër Bjellorusisë vitin e kaluar apo stërvitjet e fundit ushtarake me NATO-n. Po ashtu, autoritetet në Beograd në disa raste kanë paralajmëruar se do të vendosin sanksione ndaj Rusisë vetëm nëse ajo nuk mund të tolerojë më presionin nga Perëndimi”, vlerëson Ivkoviç. Siç thotë ai, as Uashingtoni dhe as Brukseli nuk interesohen aq shumë për ndryshimin e "status quo"-së aktuale. “Ata nuk janë as të gatshëm të vendosin ndonjë sanksion të madh ndaj Serbisë dhe as ta shpërblejnë atë. Dënimi i vetëm për mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë ishte stanjacioni në rrugën drejt BE-së. Duket se nuk është diçka e papritur dhe se nuk e prek shumë vendin tonë. Vetëm nëse vendet e tjera të rajonit do të përparonin në integrimin evropian, kjo mund të ndikojë që vendi ynë të ndryshojë diçka” analizoi Ivkoviç.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat