AGK-ja organizon protestë në shenjë revolte për vendimin ndaj Klan Kosovës

Lajme

AGK-ja organizon protestë në shenjë revolte për vendimin ndaj Klan Kosovës

Më: 29 korrik 2023 Në ora: 20:13
Protestë

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka njoftuar se të hënën e 31 korrikut do të mbajë protestë në shenjë revolte për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosovës.

Sipas njoftimit për media, kjo protestë do të mbahet me mbështetjen e mediave dhe organizatave të shoqërisë civile.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me mbështetjen e mediave dhe organizatave të shoqërisë civile, më 31 korrik, e hënë, do të mbajë protestë në shenjë revolte për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosova nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë”, thuhet në komunikatën për media.

Protesta me moton “Demokracia vdes në errësirë”, do të fillojë në ora 12:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i fton kolegët gazetarë, kameramanë e fotoreporterë, t’i bashkohen protestës paqësore të hënën”, thuhet tutje.

MINT-i e ka hedhur poshtë ankesën e Klan Kosovës për shfuqizimin e pezullimit të certifikatës së biznesit të televizionit privat, më 28 korrik.

Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve vendosi të premten se Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) kishte “vepruar në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës”.

Vendimi i Komisionit e përmbyll këtë rast brenda Ministrisë, ndërsa pala ankuese gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente.

Televizioni ka paralajmëruar ankesë në shkallët më të larta të drejtësisë, ndërkaq vendimi i Ministrisë së Rozeta Hajdarit ka nxitur reagime të shumta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat