Pasi nuk ka mbështetje nga Perëndimi përkitazi me Kosovën, Petkoviq për këtë i drejtohet Kinës

Lajme

Pasi nuk ka mbështetje nga Perëndimi përkitazi me Kosovën, Petkoviq për këtë i drejtohet Kinës

Më: 31 korrik 2023 Në ora: 14:42
Petar Petkoviq dhe Deng Li

Drejtori i zyrës së regjimit serb për propagandë kundër Kosovës, e ashtuquajtur zyre për Kosovë Petar Petkoviq, ka udhëtuar në Kinë, ku ka takuar zëvendësministrin e jashtëm të Kinës, Deng Li, të cilit i ka treguar “pikëpamjen serbe për pozitën e pakicës serbe në Kosovë”.

Sipas kumtesës së kësaj zyre, Petkoviq “e ka njoftuar” bashkëbiseduesin e tij për “situatën e vështirë të sigurisë në Kosovë në të cilën ndodhet pakica serbe, veçanërisht pas ardhjes në pushtet të Albin Kurtit, e cila karakterizohet me një rritje të dhunës ndaj serbëve dhe joshqiptarëve të tjerë nga Kosova dhe me shkelje e të drejtave të tyre themelore të njeriut”.

“Në Prishtinë nuk ka dëshirë për të arritur kompromis, dialog dhe de-eskalim të krizës aktuale, të cilën e ka shkaktuar pala prishtinase me veprimet e saj të dhunshme dhe të njëanshme, me organizimin e zgjedhjeve “ilegale dhe pushtimin e komunave serbe” në veri të Kosovës. Kriza e krijuar nga Prishtina kërcënon të përhapet në të gjithë rajonin”, ka pretenduar Petkoviq.

Deng Li ka thënë, sipas kumtesës së zyrës së Pektoviqit, se “Republika Popullore e Kinës do të vazhdojë të mbështesë sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë”, me, sipas kumtesës, “kundërshtim të qartë ndaj veprimeve të njëanshme të Prishtinës”.

“Pala kineze mbështet gjetjen e zgjidhjes së “çështjes së Kosovës” me mjete paqësore, në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, dhe krijimit sa më të shpejtë të Asociacionit”, pretendohet në këtë kumtesë.

Në kumtesën e zyrës së Petkoviqit, gjithashtu pretendohet se “është shprehur kënaqësi e ndërsjellë” për “marrëdhëniet miqësore” mes shefit të Petkoviqit, Aleksandar Vuçiq dhe presidentit kinez Xi Jinping.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat