Deputetët shqiptarë me kërkesa ndaj mandatarit për krijimin e qeverisë së re të Malit të Zi

Lajme

Deputetët shqiptarë me kërkesa ndaj mandatarit për krijimin e qeverisë së re të Malit të Zi

Më: 7 gusht 2023 Në ora: 21:11
Deputetët shqiptarë

Përfaqësuesi i koalicionit të Aleancës Shqiptare, Genci Nimanbegu dhe kryetari i Bashkimit Demokratik të Shqiptarëve (DUA), Mehmed Zenka, pas konsultimeve me presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviq, kanë deklaruar se mandatari për të krijuar qeverinë e re malazeze duhet të jetë Milojko Spajiq.

“Për koalicionin shqiptar është e rëndësishme që qeveria e ardhshme të vlerësojë specifikat tona dhe të punojë në veprime afatgjata që do të kontribuojnë në zhvillimin tonë, ashtu sikurse për të gjitha komunitetet e tjera në Mal të Zi”, tha Nimanbegu që përfaqësonte koalicionin e përbërë nga Forca dhe PD-ja e Fatmir Gjekës.

Ai shtoi se deri më tani kanë pasur bisedime me Spajiqin, ku kanë insistuar për decentralizimin e pushtetit dhe se në këtë drejtim niveli deklarativ po kalon në veprime, raporton rtcg.

Ndërkohë, Zenka kërkojë një qeveri të qëndrueshme, pasi në këtë formë do të ishte më frytdhënëse për Malin e Zi.

“Një qeveri e tillë mund të përbëhet nga dy koalicionet më të forta – koalicioni Zajedno dhe koalicioni PES, si dhe partitë e pakicave. Publiku tashmë e di, indirekt ose drejtpërdrejt, se kush do të jetë mandatari dhe ne nuk shohim asnjë problem. E vetmja gjë që na intereson është që të kemi një qeveri që do t’i dëgjojë kërkesat e pakicave. Këtë i sugjerova presidentit”, tha Zenka.

Rezultatet e zgjedhjeve parlamentare kanë treguar se “Lëvizje Evropa Tani” doli e para me 26 për qind të votave apo 24 mandate, por jo të mjaftueshme për të formuar një qeveri e vetme.

Ajo pasohet nga koalicioni i kryesuar nga Partia Demokratike e Socialistëve e ish-presidentit, Milo Gjukanoviq me 23,7 për qind ose me 21 mandate në Parlamentin e Malit të Zi.

Koalicioni pro-serb dhe pro-rus, “Për të Ardhmen e Malit të Zi” (ish-Fronti Demokratik) ka fituar 15 për qind të votave ose 13 mandate dhe koalicioni URA e Dritan Abazoviqit me Demokratët të Aleksa Beçiqit ka fituar 12.3 për qind ose 11 mandate.

Partia Boshnjake, si partia më e madhe e pakicave në Mal të Zi fitoi 6.8 për qind të votave ose 6 mandate, kurse në parlament do të hyjë edhe Forumi Shqiptar me 2 mandate, Aleanca Shqiptare dhe Nisma Qytetare Kroate me nga 1 mandat. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat