Vetëdorëzohet në Polici i dyshuari për vrasjen në lokalin në Klinë

Lajme

Vetëdorëzohet në Polici i dyshuari për vrasjen në lokalin në Klinë

Më: 15 gusht 2023 Në ora: 16:51
Tush Frroku

Tush Frroku, i dyshuar për vrasjen e ndodhur më 7 gusht 2023 në një lokal në Klinë, është vetëdorëzuar në Polici.

Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, Shkodran Nikçi, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë.

Nikçi tha se prokurori fillimisht do të bëjë kërkesën për ndalim 48 orësh, ndërsa më pas atë për masën e paraburgimit.

“Betimi për Drejtësi” ka raportuar sot, se i dyshuari Frroku ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Pejë, Dega në Klinë, për veprën penale “Ndryshim i njehësorit të shërbimeve” dhe tri vepra penale “Vjedhje e rëndë.

Edhe Prokuroria Themelore në Pejë, kishte konfirmuar se Frroku është akuzuar edhe për dy vepra penale dhe se ndaj tij kishte procedurë për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Prokuroria bëri të ditur se në vitin 2012 kishte ngritur aktakuzë ndaj tij për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”. Po ashtu, ndaj tij ishte ngritur edhe aktakuzë për veprën penale “Vjedhje e shërbimeve”.

Që nga 7 gushti 2023, Policia e Kosovës, e kishte shpallur në kërkim të dyshuarin Frroku, për vrasjen e ndodhur nё rrugën “Leonard Palucaj”- Klinё, më 7 gusht 2023. 

Policia kishte njoftuar se i dyshuari është arratisur nga vendi i ngjarjes dhe nën kërcënim të armës ka grabitur më pas një veturë duke u larguar në drejtim të Gurrakocit.

Policia ishte vënë në ndjekje të tij dhe në fshatin Kosh të Istogut është gjetur vetura e braktisur.

Ndryshe, viktima fillimisht ishte plagosur, por kishte ndërruar më pas jetë në Qëndrën e Mjekësisë Famljare në Klinë.

“Me vendim tё prokurorit tё shtetit trupi i pajetë i viktimёs dërgohet ne institutin e mjekёsisё ligjore nё Prishtinё pёr obduksion”, thuhej në njoftimin e Policisë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat