Lista Serbe pretendon se Atiq urdhëroi policinë për t’i kontrolluar zyrat e qeverisë serbe në veri, thotë se e kanë njoftuar Lajçakun

Lajme

Lista Serbe pretendon se Atiq urdhëroi policinë për t’i kontrolluar zyrat e qeverisë serbe në veri, thotë se e kanë njoftuar Lajçakun

Më: 18 gusht 2023 Në ora: 22:50
Goran Rakiq

Lista Serbe përmes një komunikate ka pretenduar se kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ka kërkuar nga policia dhe inspektorati të kontrollojnë disa zyre në Lagjen e Boshnjakëve ku ka zyrën “Zyra për Kosovë e Metohi”, siç e quajnë ata, si dhe “Fondi Krahinor për Sigurimin Pensional dhe Invalidor”.

Sipas pretendimit të kësaj partie, kontrollimi i zyrave u bë për të parë se në pronësi të kujt funksionojnë ato.

“Sot me kërkesë të kryetarit ilegal, të paligjshëm dhe të rremë të Mitrovicës së Veriut, i cili fitoi 3% të votave, një grup policësh dhe inspektorësh komunalë kanë hyrë në objektin ku janë vendosur zyrat e Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Fondi Krahinor për Sigurimi Pensional dhe Invalidor, si dhe Kosova-Mitrovica e rrethit administrativ në vendbanimin e Lagjes së Boshnjakëve në Mitrovicë dhe me atë rast pyetën se në bazë të cilit dokument janë vendosur këto institucione në atë objekt, sepse sipas tyre është në pronësi të komunës, ata u thanë punonjësve se kishin urdhër për të “liruar” atë dhe të gjitha objektet e tjera që janë në pronësi të komunës dhe se do të vijnë sërish të hënën”, thuhet në këtë komunikatë.

Për këtë, Lista Srpska ka vazhduar retorikën e zakonshme se këto veprime të zyrtarëve përbëjnë “keqtrajtim të serbëve”.

“Ky është padyshim fillimi i keqtrajtimit të mëtejmë të qytetarëve sepse në listën e objekteve që institucionet e Kosovës i konsiderojnë të tyre janë objektet që strehojnë spitale, qendra shëndetësore, shkolla, fakultete, universitete…  Ky kërcënim është absolutisht pjesë e planit për të dëbuar të gjithë serbët nga Kosova, për t’iu hequr qytetarëve të drejtën e tyre për punë, por edhe për të penguar ofrimin e shërbimeve për qytetarët e Kosovës të të gjitha nacionaliteteve që mbijetojnë falë mbështetjes së shtetit serb përmes institucioneve kompetente”.

Partia e Goran Rakiqit shkruan se për këtë e kanë njoftuar emisarin europian, Miroslav Lajçak, por ankohet se s’ka reagim.

“Për këtë është njoftuar kryenegociatori i Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak dhe përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë, si dhe për veprime të tjera kundër popullit serb, por për momentin, për fat të keq, nuk ka asnjë reagim. Bashkësia ndërkombëtare duhet urgjentisht të ndalojë veprimet që kërcënojnë paqen në veri të Kosovës dhe të pengojnë Kurtin dhe pasardhësit e tij që të dëbojnë serbët nga Kosova. Komuniteti ndërkombëtar, mbi të gjitha Bashkimi Europian, duhet të bëjë një njoftim të qartë dhe të thotë nëse ky është një veprim që nënkupton deeskalim, sepse populli serb e konsideron një përshkallëzim shtesë në terren”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat