Qytetarët kërkojnë dënim të ashpër për keqpërdoruesit me rezerva shtetërore

Lajme

Qytetarët kërkojnë dënim të ashpër për keqpërdoruesit me rezerva shtetërore

Më: 19 gusht 2023 Në ora: 19:15
Foto ilustrim

Qytetarët kërkojnë që të dënohen ashpër ata që janë të përfshirë në keqpërdorimin e rezervave shtetërore, nëse sipas tyre dyshimet dalin të vërteta. Ata thonë se pa dalë gjykata me vendim të prerë, nuk besojnë se është bërë një gjë e tillë nga zyrtarët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, dhe të tjerët.

Disa prej qytetarëve janë të bindur se qeveria Kurti nuk korruptohet, ndërsa të tjerë thonë se presin përgjigjen e organeve kompetente.

Qytetari Rizah Syla, lidhur me arrestimet që janë bërë ditën e premte për keqpërdorimin e rezervave shtetërore thotë se nuk janë të vërteta, derisa shton se kryeministri Kurti nuk ka shanse të korruptohet.

"Edhe ata nëse ia kanë filluar si ata të parët, subhanallah. Unë, pa u vërtetuar nuk besoj që është e vërtetë, se Albini si Albin i korruptuar nuk është, me pare atë nuk mund ta blesh fare, edhe ky të del fals atëherë për neve mos pyet. Në qoftë se është e vërtetë kjo, jo të jap dorëheqje, por duhet edhe të dënohet. Se dorëheqja nuk është asgjë, merri paret edhe shko në shtëpi a, duhet të dënohet se ajo është djersë e popullit. Lutem (ishallah) bëhet mirë, se unë mirë nuk po shoh, LDK-ja e keqe, PDK-ja e keqe, AAK-ja e keqe, Vetëvendosja tash e keqe, kush do të jetë i mirë për neve, a Vuqiçi a? Opozita nuk e di qysh nuk po ju vjen marre, çka qitën në dritë 23 vjet, e tash ju kanë lëshuar krejt këtij për këto dy vjet e gjysmë”, tha Syla.

Po ashtu, edhe qytetari Bajram Demaj është i bindur se këto dyshime kurrë nuk mund të dalin të vërteta.

"Nuk munden me qenë të vërteta derisa nuk bjen gjykata vendim, atëherë dihet a janë fajtorë apo nuk janë. Duhet të bëhen hetimet me detaje, edhe prokurorët, (incizimet a i keni parë), po i kam parë por e vërtetë ajo askund hiç nuk është. Kurrë nuk mund të dalë e vërtetë hiç", u shpreh Demaj.

Ndërkaq, edhe Shkëlzen Dobroshi u shpreh se këto janë thashetheme, derisa gjykata të dalë me vendim.

"S'kam çfarë të mendoj, punë e gjykatës është me e ndjek kushdo qoftë që ka bëre gabim ligjor. Ligjet duhet të shikohen në parlament, a po zbatohen apo nuk po zbatohen. Nuk ka aty se çka me ditë, nuk kam unë se çfarë të mendoj.Këto janë thashetheme, derisa gjykata nuk del me vendim", tha Dobroshi.

Në anën tjetër, qytetari Eshref Beka tha se po të dalin të vërteta këto dyshime, duhet të ketë burgosje të ashpra, përndryshe nuk ka zgjidhje.

"Nëse konstaton gjyqi atëherë le të dënohen, si ta meritojnë, që është e vërtetë, që nuk është e vërtetë, atëherë duhet të lirohen. Nuk mund të them asgjë, kam lexuar kështu, nuk e di a janë të vërteta gjyqi i vërteton. Nëse ju dalin të vërteta duhet të burgosen, edhe më së ashpëri të burgosen edhe të vazhdojnë ashtu, jo t'i burgosin edhe t'i lëshojnë, pastaj ata po marrin hov, me keqpërdorime po vazhdojnë, duhet të zbatojnë ligjin siç duhet, përndryshe kurrë nuk bëhet mirë", tha Beka.

Ndërkaq, Fehmi Nishefci nga kryeqyteti ka një “mesele” tjetër rreth kësaj çështje, duke thënë se iu ka mbushur mendja të dërgojë në parlament kafshë “pela e kuaj”.

"Unë si fshatar mu ka mbushë mendja në këtë Prishtinën tonë me i marrë me i dërgua, kërkoj falje, dhjetë pela me i dërgua në atë parlament edhe dhjetë kuaj. Ato pelat ngordhin, e ata kuajt pjellin, çka po do tjetër...A ka send më të ligë, më të keq se ne me u mërzitë se kë e arreston gjykata, po gjykata është për të hulumtuar, gjykata është për të arrestuar, policia është për atë për të zbuluar çdo hetim, çdo krim. Po ishallah, nuk është si ato të tjerat, ndryshe krejt, se jemi lodhë”, tha Nishefci.

Sot, (e shtunë) Gjykata Themelore në Prishtinë u ka caktuar nga një muaj paraburgim tre të dyshuarve për keqpërdorim me rezervat shtetërore.

Dy të arrestuarit në MINT janë Drejtori i Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara, dhe drejtori i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Irfan Lipovica. Ndërkaq, i dyshuari tjetër Ridvan Muharremi, është afarist i arrestuar në lokalin e tij “Bukë e Zemër”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se nuk ka kurrfarë keqpërdorimi dhe korrupsioni në MINT, dhe ka shtuar se në qeverinë e tij janë investuar mbi 25 milionë euro për rezerva shtetërore. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat