Kërkohet paraburgim për dy zyrtarët e Suharekës, dyshohen se i kanë shkaktuar mbi 74 mijë euro dëm komunës

Lajme

Kërkohet paraburgim për dy zyrtarët e Suharekës, dyshohen se i kanë shkaktuar mbi 74 mijë euro dëm komunës

Më: 24 gusht 2023 Në ora: 11:12
Foto ilustrim

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, të enjten, ka bërë kërkesë në Gjykatën Themelore në Prizren, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Enver Shabanit, drejtori i Shërbimeve Publike në Suharekë dhe Berat Kabashit, zyrtar i Komunës së Suharekës, të cilët po dyshohen se i kanë shkaktuar mbi 74 mijë euro dëm komunës përmes keqpërdorimit me tenderin e rrugës në Mushtisht.

Këtë kërkesë, e ka bërë në seancën dëgjimore, prokurori Petrit Kryeziu, ku Shabani dhe Kabashi po dyshohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurori Kryeziu tha qëndron në tërësi pranë kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit. Ai tha se dyshimi i bazuar rezulton nga 21 prova personale dhe materiale.

Sipas tij, ekzistojnë kushtet ligjore për përcaktimin e masës së paraburgimit duke marrë parasysh dënimin që i kanoset të dyshuarve dhe se lënia në liri e tyre do të ndikonte në mbarëvajtjen e hetimeve si dhe procesit gjyqësor.

Kryeziu ka njoftuar se Shabani dhe Kabashi edhe në të kaluarën kanë rënë ndesh me ligjin. Sipas tij, Kabashi rezulton se ka dhe 5 raste të tjera, kurse për të dyshuarin Shabani tha se rezulton se ka një rast të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Kërkesën e prokurorit, e ka kundërshtuar mbrojtësi i të dyshuarit Kabashi, avokati Yll Kaçamaku, duke e cilësuar të njëjtën si masë të rëndë dhe ka propozuar që kjo masë të refuzohet.

Ai ka propozuar që të caktohet një masë më e butë alternative për sigurimin e Kabashit në proces gjyqësor.

I dyshuari Kabashi ka mbështetur fjalët e mbrojtësit të tij, duke shtuar se i kanë dorëzuar të gjitha provat hetuesisë.

“Nuk është ashtu siç po thotë prokurori sepse kemi dokumente që flasin ndryshe”, ka thënë Kabashi.

Kërkesën e Prokurorisë, e ka kundërshtuar edhe mbrojtësi i të dyshuarit Shabani, avokati Qazim Hasanaj, i cili tha se nuk është vërtetuar dyshimi i bazuar së në veprimet e të mbrojturit të tij janë konsumuar elementet e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.Hasanaj ka thënë se nuk qëndrojnë pretendimet e Prokurorisë se Shabani nuk ka nënshkruar fatura dhe dokumentacionin sa i përket realizimit të punimeve sipas kontratës.

Ai tha se nuk ekziston rreziku i ikjes, ngase i njëjti në çdo kohë dhe rrethanë i është përgjigjur ftesës së hetuesit, po ashtu ditën e ndalimit i njëjti pas marrjes së një telefonate nga hetuesit është paraqitur vullnetarisht.

Tutje, ka propozuar që kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit të refuzohet në tërësi dhe se i mbrojturi tij çdo masë tjetër të caktuar nga gjykata do ta respektojë dhe do t’i përgjigjet.

I dyshuari Shabani ka mohuar se është përgjegjës në këtë rast, i njëjti ka kërkuar që kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit të refuzohet.

“Unë ju betohem juve për 6 vite të mia të punës aktive, asnjë keqpërdorim nuk i kam bërë …lënda që lexoi prokuroi para meje është për keqardhje, përgjegjësia ime në këtë lëndë është zero, andaj çfarëdo mase që gjykata do ta caktojë unë do të pranoj, por jo paraburgimin”, ka thënë Shabani.

Gjykatësja e rastit, Teuta Krusha tha se jashtë seancës do të vendos lidhur me kërkesën e Prokurorisë dhe pretendimet e palëve.

Ndryshe, “Betimi për Drejtësi” kishte siguruar aktvendimin për fillimin e hetimeve, të cilin Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda e ka marrë ndaj Shabanit dhe Kabashit, ku sipas këtij vendimi, të njëtit prej 18 maj 2022 deri më 12 dhjetor 2022, në Suharekë në cilësi të personave zyrtarë dhe atë Berat Kabashi në cilësinë e menaxherit të kontratës dhe Enver Shabani në cilësinë e mbikëqyrësit të drejtpërdrejtë të menaxherit të kontratës, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tyre zyrtar nuk i përmbushin detyrat zyrtare të tyre me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete dhe për personat tjerë, të njëjtit me dashje shkelin ligjin e Prokurimit Publik.

Sipas vendimit, Shabani dhe Kabashi me dashje nuk kanë kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuar me ligj, në atë mënyrë që me vendimin 01-Nr.016-29186 të datës 18.05.2022 të lëshuar nga Kryetari i Komunës së Suharekës caktohen në menaxhimin e kontratës me numër prokurimi 624-22-1007-5-2-1 dhe 624-22-016-521 me titullin e kontratës “ndërtimi i rrugëve: “Rexhepi Velia-me segment”, “Molika”, “Shaljanët – segment”, “Kovaçi”, “Tafa”, “Jetush Shala” dhe “Haxhi Shania”.. në fshatin Mushtisht”, mirëpo nga informatat e siguruara dhe verifikimit të të njëjtave është konstatuar se të hollat janë paguar për Operatorin Ekonomik mirëpo rrugët nuk janë shtruar siç parashihet në kontratë.

Për këto veprime, në vendim thuhet se të njëjtit Komunës së Suharekës i kanë shkaktuar dëm në shumën prej 74 mijë e 214 euro e 74 cent. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat