Drashkoviç: Çmenduri ideja për t’u bashkuar me BRICS – Vulini është fanatik i politikës së Millosheviçit

Lajme

Drashkoviç: Çmenduri ideja për t’u bashkuar me BRICS – Vulini është fanatik i politikës së Millosheviçit

Më: 30 gusht 2023 Në ora: 21:32
Vuk Drashkoviç

Vuk Drashkoviç, ish-zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë, ka thënë se propozimi i deputetëve të Serbisë që shteti serb t’i bashkohet Brazilit, Rusisë, Indisë, Kinës dhe Afrikës së Jugut (BRICS), përveçse një ide e “çmendur”, ajo paraqet vazhdimësinë e politikës së ish-presidentit fashist Slobodan Millosheviç.

Deputetët e Lëvizjes së Socialistëve të Serbisë (PS) të kryespiunit serb Aleksandër Vulin, të cilët janë partnerë të koalicionit me Partinë Progresiste Serbe (SNS), të hënën i kanë propozuar parlamentit serb që t’i bashkohen BRICS – kundërpeshës së G7 (Kanada, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara).

Drashkoviçi, aktualisht kryetar i Lëvizjes Serbe për Rindërtim (SPO), ka thënë për agjencinë serbe të lajmeve “Beta” se e vetmja rrugë e arsyeshme për Serbinë është ajo e Bashkimit Evropian (BE), ndërsa Vulinin e ka cilësuar “përfaqësues fanatik” të Millosheviçit dhe “shërbëtor besnik” të Rusisë.

“Në propozimin e kësaj rezolute të çmendur, ai përdor të vërtetën tragjike se sot për shumicën dërrmuese të serbëve në Serbi, Republikën Sërpska dhe Mal të Zi, vendet e aleancës së NATO-s dhe BE-ja, janë armiqtë e popullit serb”, ka deklaruar Drashkoviçi, të mërkurën.

Ai ka nënvizuar se propozimi i PS-së është pasojë e “hipnotizimit” afatgjatë të serbëve nga fushata dhe veprimet e Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA), ndërsa ka kujtuar se Serbia është aleate e Rusisë, Kinës, Koresë së Veriut, Iranit, Sirisë, Venezuelës dhe diktaturave afrikane nën komandën e grupit paramilitar rus “Wagner”.

Deputetët serbë kanë pretenduar se anëtarësimi në BRICS do të konfirmonte përkushtimin e Serbisë për vendosjen e një rendi botëror më të drejtë, i cili do të bazohej në respektimin e pakushtëzuar të ligjit ndërkombëtar dhe do të kufizonte “hegjemoninë perëndimore dhjetëvjeçare dhe do të sillte më shumë siguri dhe stabilitet në botë”.

Ata kanë kërkuar nga Qeveria e Serbisë që në një afat prej 30 ditësh nga miratimi i mundshëm i kësaj rezolute, të kërkojë nga BRICS pozitën e shtetit vëzhgues, por edhe të themelojnë një ministri për anëtarësim në këtë organizatë dhe të miratojnë një strategji të veçantë për këtë.

Ndryshe, perspektiva e Serbisë drejt BE-së është ende e pasigurt, nuk është e qartë. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse Serbia do të ndjekë politika të favorvshme ndaj stabilitetit rajonal. Serbia, gjatë gjithë historisë saj, ka marshuar sipas një daulleje krejt të ndryshme nga pjesa tjetër e botës perëndimore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat