Aktakuzë ndaj Arben Esatit, mjekut nga Tetova që kanosi gazetarin Bujar Vitija

Lajme

Aktakuzë ndaj Arben Esatit, mjekut nga Tetova që kanosi gazetarin Bujar Vitija

Më: 13 shtator 2023 Në ora: 11:22
Bujar Vitija

Prokuroria Speciale ka njoftuar për ngritje të aktakuzës ndaj Arben Esatit, mjekut nga Tetova i cili akuzohet për kanosje të gazetarit Bujar Vitija.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, Esati kanosi gazetarin Vitija lidhur me një raportim për të në mediumin e shkruar online Gazeta Shneta.

“Sipas aktakuzës, më 27 gusht 2022, rreth orës 23:30 në Prishtinë, pasi i dëmtuari B.V., në cilësinë e gazetarit, paraprakisht kishte publikuar një artikull në portalin “Gazeta Shneta”, lidhur me specializimin e të pandehurit, ky i fundit i revoltuar nga ky shkrim, me qëllim të frikësimit, nga llogaritë e tij në rrjetin social “facebook”, e kanosë seriozisht të dëmtuarin duke i shkaktuar ndjenjën e ankthit, frikës dhe pasigurisë për jetën”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.

Gazeta Shneta vitin e kaluar raportoi për dyshime lidhur me specializimin e të akuzuarit në fjalë. Sipas raportimit, Esati ka kryer specializimin në QKUK, por mjekët e klinikës ku ai specializoi nuk kanë dëgjuar kurrë për emrin e tij. Kësisoj, artikulli vendoste në dyshim specializimin e të akuzuarit, i cili sipas raportimit nuk i vijoi të gjitha procedurat e nevojshme drejt specializimit për anesteziolog.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat