Petkoviq: Kurti nuk do marrëveshje, nuk do asgjë

Lajme

Petkoviq: Kurti nuk do marrëveshje, nuk do asgjë

Më: 18 shtator 2023 Në ora: 14:03
Petar Petkoviq

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “nuk do bisedime” e as “kompromis” me Serbinë.

Petkoviq i bëri komentet pak ditë pas rundit të fundit të bisedimeve mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Në këtë rund, të zhvilluar me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, u diskutua për zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por nuk u arrit ndonjë pajtim.

“Kurti nuk e do Asociacionin e komunave [me shumicë] serbe; Kurti është ai që nuk ka dashur të bisedojë për shtensionimin [e situatës në veri të Kosovës]. Vuçiq, qartazi, ka treguar se është i gatshëm për zgjidhje kompromisi, sepse kjo është mënyra e vetme për t’i mbrojtur serbët në Kosovë”, ka thënë Petkoviq, shkruan REL.

“Të gjithë duhet ta kuptojnë se në çfarë kushtesh të pamundura po negociojmë”, ka shtuar ai.

Sipas tij, Kurti “nuk do zgjedhje, nuk do marrëveshje, nuk do asgjë”…

“Për ne, dialogu dhe kompromisi nuk janë fjalë të këqija, por një rrugë për të shkuar në drejtim të shtensionimit, për të siguruar paqen në rajonin e të gjithë Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Petkoviq.

Rundi i fundit i dialogut u zhvillua më 14 shtator, derisa situata në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – mbetet e tensionuar, prej se kryetarët shqiptarë morën pushtetin lokal, në fund të majit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat