Vuçiq tallet haptas me liderët e grumbulluar në New York: Po pres të më mbajnë ligjërata në lidhje me Rusinë

Lajme

Vuçiq tallet haptas me liderët e grumbulluar në New York: Po pres të më mbajnë ligjërata në lidhje me Rusinë

Më: 19 shtator 2023 Në ora: 20:12
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se në New York ai po pret që përfaqësuesit evropianë t’i mbajnë atij “ligjërata për mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë”.

“Së pari do të më mbajnë një ligjëratë për 7-8 minuta, pastaj të gjithë të tjerët do të më mbajnë leksione. Unë do t’i dëgjoj pastaj do t’u them se unë e udhëheqi Serbinë si president dhe përderisa kjo është kështu, atëherë do të udhëheqim një politikë të tillë. Ne e dimë se si kemi kaluar me sanksione. Pse të marrim pjesë në gjëra të tilla”, tha Vuçiq.

Vuçiq ka thënë se ka dëgjuar presidentin e SHBA-së, Joe Biden dhe ministren e Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, në fjalimin në Asamblenë e OKB-së.

“Bideni në fjalimin e tij përmendi integritetin territorial, sovranitetin dhe vetëm te e treta të drejtat e njeriut si vlera më të larta të njerëzimit. Disa herë iu referua Kartës së OKB-së dhe akteve të OKB-së”, tha Vuçiq, i cili shtoi se në fjalimin e tij do të përmend bombardimet e NATO-s ndaj ish-Jugosllavisë në vitin 1999.

“Edhe tash nuk i njohin rregulloret e OKB-së, përfshirë edhe rezolutën 1244. Ne që jemi të vegjël, më mirë ta kuptojmë me kohë sa të vegjël jemi dhe se të mëdhenjve u lejohet çdo gjë. Ende nuk e kam kuptuar sa të vegjël jemi, ndoshta me këto predikime do të më bindin, por nuk jam i sigurt. Të gjithë të mos e humbin rastin të më japin një mësim për moralin e çdo gjë – si dhe në çfarë mënyre të vendosin sanksione” , tha Vuçiq.

Ai ka thënë se nuk “e njohin Kosovën e pavarur”.

Vuçiq ka thënë se në New York ka pasur takime gati me gjithë liderët evropianë. Ka thënë se do të hanë darkë me presidentët e Ballkanit Perëndimor. Po ashtu ka treguar se është takuar me presidentin e Këshillit Evropiam, Charles Michel, si dhe me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

“Kam biseduar me presidentin turk për çështjet rajonale për vizitën e tij në Serbi. Do të kem një takim edhe me Miroslav Lajçakun dhe me të gjithë ata që duhet të bisedojë për situatën në Kosovë”, tha Vuçiq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat