Trajkoviq: Ndërkombëtarët kanë luajtur rolin e vet, mund të kishte pasur më shumë viktima

Lajme

Trajkoviq: Ndërkombëtarët kanë luajtur rolin e vet, mund të kishte pasur më shumë viktima

Më: 25 shtator 2023 Në ora: 10:23
Rada Trajkoviq

Pas sulmit të armatosur të terroristëve serbë në fshatin Banjskë të Kosovës, për atë se çfarë mund të jetë prapavija e asaj që ka ndodhur, ka folur Rada Trajkoviq nga Lëvizja Evropiane e Serbëve nga Kosova.

Trajkoviq ka thënë se KFOR-i dhe EULEX-i ndodhen në veri të Kosovës dhe se bashkësia ndërkombëtare ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm.

“Tridhjetë veta hynë në Manastirin e Banjskës dhe në këtë mënyrë u përpoqën të komprometojnë kishën ortodokse serbe, ndërsa ata njerëz brenda dhe vëllazëria e manastirit nuk kishin zgjidhje. Ata aty nuk janë pyetur për asgjë, dhe fatkeqësisht do ta marrin përgjegjësinë. Informacioni se në manastir ka qenë 30 persona është informacion për të cilin të gjithë flasin dhe të gjithë e dinë dhe nuk e di pse mediat nuk raportojnë për këtë. Gjithçka është e mbyllur dhe e përshtatur me politikën e njerëzve në pushtet, si në Beograd ashtu edhe në Prishtinë, dhe e vërteta është diku tek komuniteti ndërkombëtar, i cili hesht dhe punon për diçka që është një përpjekje ndërkombëtare e menjëhershme për të parandaluar viktima të mëdha”, ka thënë Trajkoviq dhe ka shtuar se është vrarë një polic i Kosovës, është vrarë një njeri i institucionit e çka është e dënueshme.

Ajo ka thënë se po flitet për vrasjen e tre personave nga ana tjetër, të cilët supozohet se janë serbë, dhe ka informacione se ka edhe më shumë të vrarë.

“Thuhet, të paktën ajo që kam marrë vesh nga burimet shqiptare dhe duke biseduar me miqtë shqiptarë, se Policia e Kosovës ka pasur kapacitete për t’u përballur me situatën dhe se ka mundur të ketë shumë më tepër viktima, por se këtu ka luajtur rolin e vet komuniteti ndërkombëtar. Si është e mundur që një numër i njerëzve që luftuan me Policinë e Kosovës të gjenden aty është një enigmë e madhe, përgjigjen e së cilës do ta japë hetimi më kompetent, i cili do të bëhet jo vetëm nga institucionet e Kosovës, por edhe nga institucionet ndërkombëtare. EULEX-i është në vendin e ngjarjes falë komunitetit ndërkombëtar, për të cilin do të thosha se dje ka luajtur një rol historik. Kjo reflektohet në faktin se forcat speciale të Kosovës kanë pasur rastin të vrasin 30 persona. Cili do të ishte, cili do të ishte epilogu pas kësaj. Unë mendoj se presidenti i Serbisë ishte në negociata gjatë gjithë ditës dhe se bashkësia ndërkombëtare po punonte në një projekt për t’i larguar ata njerëz në Serbi për të shpëtuar jetën e tyre. Unë kam dijeni se ka pasur një diskutim dhe se dikush është dashur të marrë përsipër ata njerëz dhe përgjegjësinë për ta në kuptimin që do të punojnë së bashku për të përcaktuar arsyet, motivet dhe për gjithçka që ka ndodhur”, ka thënë Trajkoviq dhe ka shtuar se është shumë e vështirë se i gjithë faji në thelb, u bartë te serbët e Kosovës.

Ajo ka thënë se ky Spalleviqi, identiteti i të cilit u zbulua, është 23 vjeç dhe kur Vuçiq erdhi në pushtet dhe u organizua dhe filloi “të punojë” në Kosovë, ai ishte 13 vjeç.

“Kush e ka fajin që ky fëmijë u rrit dhe u bë dikush që erdhi i armatosur me armë për të marrë pjesë në aksione të tilla dhe pse këta fëmijë sot shkuan në arkivole te prindërit e tyre. Këto janë pyetje në të cilat Serbia duhet të përgjigjet. Pse presidenti Vuçiq pa ndërpre thekson dhe forcon autoritetin e një njeriu që është në listën e zezë, e kam fjalën për Millan Radoiçiqin, se është ai i cili mbron dhe çliron serbët. Trajkoviq ka theksuar se po të ishin 30 serbë të vdekur, 30 vjet nuk do të kishte negociata.

“Vuçiq ua barti të gjithë përgjegjësinë serbëve të Kosovës. Serbët kanë kundërshtime për ndërhyrjen etnikisht të motivuar të Policisë së Kosovës, dhe Vuçiq në fakt i ka inkurajuar ata kur ka thënë se ushtria serbe po shkon drejt Kosovës”, ka theksuar ajo dhe ka përfunduar se veriu i Kosovës do të zbrazet nëse nuk do të ketë paqe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat