“Radojçiqi dhe Vulini 100% të përfshirë në sulmet terroriste”, “Lidhja me qendrën është e dukshme”: Bogdanoviq dhe Biserko komentojnë ngjarjet e djeshme

Lajme

“Radojçiqi dhe Vulini 100% të përfshirë në sulmet terroriste”, “Lidhja me qendrën është e dukshme”: Bogdanoviq dhe Biserko komentojnë ngjarjet e djeshme

Më: 25 shtator 2023 Në ora: 12:55
Aleksander Vulin

Rreth sulmeve vrastare dhe terroriste të djeshme në fshatin Banjskë të Zveçanit; ku një formacion ushtarak prej rreth 30 personash hapën zjarr ndaj forcave të rendit dhe ligjit ku edhe vranë një rreshter policor kosovar, politikani serb Boban Bogdanoviq shprehet se “(Nënkryetari i Listës Serbe, Millan) Radojçiqi është njëqind-për-qind i përfshirë” bashkërisht me shefin e BIA-s serbe, Aleksandar Vulin. Bogdanoviq s’e ka asnjë dilem se kjo dyshe Vulin-Radojçiq “e kanë proceduar këtë akt terrorist”.

Bogdanoviq shprehet se edhe para se të ndodhte sulmi vrastar e terrorist nga pjesëtarët e këtij formacioni, “kam pasur informacion” që Millan Radojçiqi po shtynte para saktësisht një skenar të tillë.

“Absolutisht Radojçiqi është i përfshirë”, thotë Bogdanoviq teksa shton se pjesëtarët e këtij formacioni u pa që i kishin të gjitha “armët e avancuara, pajisjet, logjistikën” dhe se këto të gjitha i lidh me figurën e Radojçiqit dhe Vulinit. Megjithatë, ai thotë se “nuk kam informacion” që partneri i Radojçiqit, Zvonko Veselinoviq, të ketë qenë i përfshirë. Thotë se “u zmbraps” dhe “nuk ka dashur të jetë pjesë e kësaj”.

“Aleksandar Vulini ëshë 100% i përfshirë gjithashtu, BIA është e përfshirë në këtë akt terrorist. Kur i pash mediat kosovare e dëgjova audioinçizimin përbrenda (Manastirit të Banjskës). Ishte zë serb dhe rus. Nëse doni të kryeni këtë aksion terrorist, me patjetër që duhet të keni mbështetjen e shërbimeve inteligjente ruse. Për mua është krejt e qartë”, thotë ai.

Për atë që Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e paraqiti si “kryengritje të serbëve të Kosovës kundër terrorit të Kurtit”, Bogdanoviq thotë nga ato 30 pjesëtarë mes 20 dhe 25 s’kanë qenë fare të Kosovës; por nga Serbia apo kampe ushtarake ruse.

“Mbase disa prej terroristëve mund të kenë qenë prej veriut të Kosovës. Por, mes 20 ose 25 vinë nga Serbia, Rusia apo qendra terroriste nga Evropa. Mendoj se vinë nga kampe ushtarake ruse me mbështetjen e BIA-s dhe Radojçiqit; ai e procedoi aktin terrorist dje. Ky është mendimi im. S’është e vërtetë që janë vetëm të veriut të Kosovës. Por, Vuçiqit i duhet ta mbrojë Radojçiqin dhe Vulinin”, tha Bogdanoviq.

Edhe për Kryetaren e Komisionit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Beograd, Sonja Biserko, përfshirja e Vulinit dhe Radojçiqit në këtë akt terrorist ndaj shtetit të Kosovës nuk është hiç larg mendsh.

“Është shumë e mundur”, thotë fillimisht ajo.

“Kjo, përfshirja e tij, duket se është e qartë sepse ky grup prej 30 personash të armatosur dhe aq të mirëorganizuar e të pajisur duhet të jenë të lidhur me qendrën. Radojçiqi gjithashtu i sanksionuar nga ShBA dhe merr pjesë në seancat qeveritare të Serbisë dhe mbetet shtylla e politikës së serbisë në veri të Kosovës”, ka thënë Sonja Biserko.

“Nuk mund të konkludojë me siguri se shteti serb është i përfshirë. Por duke e ditur ngjarjet në dhjetë vitet e fundit, mund të di që Serbia dëshiron ndarjen e Kosovës”, thotë aktivistja serbe.

“Vulini është agjenti numër një rus në Serbi. Haptazi dhe qartazi është proponenti i politikës së Putinit, dhe as që e fsheh. Duket sheshit, dhe ëstë i sanlsionuar nga ShBA. Dhe nuk e di nëse Vuçiqi do të jetë në gjendje ta heq nga ajo pozitë. Dihet që ai bashkëpunon me Rusinë”, na thotë Sonja Biserko.

Në sumin vrastar dhe terrorist dje në Banjskë të Zveçanit, Policia e Kosovës arriti të neutralizojë së paku tre prej tyre, dy të tjerë i ka arrestuar, si dhe katër të tjerë që dyshohen të kenë qenë asistuar grupin kriminal i ka arrestuar pas zënies në posedim me radiolidhje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat