Vuçiq tha për të “s’është lule”, kurse Oliver Ivanoviq se është “qendra kryesore e pushtetit”: Çfarë dimë për Radoiçiqin, kryeterroristin e Listës Serbe?

Lajme

Vuçiq tha për të “s’është lule”, kurse Oliver Ivanoviq se është “qendra kryesore e pushtetit”: Çfarë dimë për Radoiçiqin, kryeterroristin e Listës Serbe?

Më: 27 shtator 2023 Në ora: 16:43
Aleksander Vuçiq dhe Milan Radoiçiq

Kreu i MPB-së së Kosovës, Xhelal Sveçla, ka publikuar një video të një grupi personash që dyshohet se kanë shkaktuar përleshjet e fundit në fshatin Banjskë të Kosovës dhe pretendon se njëri prej tyre është Milan Radoiçiq, të cilin e ka cilësuar si udhëheqës të grupit terrorist që sulmoi policinë e Kosovës atë ditë.

Dihet pak për biznesmenin serb, Milan Radoiçiq, nënkryetar i Listës Serbe në Kosovë, por kur bëhet fjalë për ngjarjet në Kosovw, ai është pothuajse gjithmonë i përfshirë.

Nga ana tjetër, për Beogradin zyrtar ndonjëherë duket se nuk ekziston, presidenti “nuk e njeh”, nuk ka folur kurrë me të, ndërsa në një moment tjetër e sjell në parlamentin serb dhe e mbron para publikut.

Radoiçiq edhe pse ka përvojë të pasur në biznes, ai ka përvojë të pasur edhe me aktakuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare, duke ndihmuar në keqpërdorime brenda kompanisë “Euro cop”, në mes të punimeve në një pjesë të Korridorit 10, së bashku me Zvonko Veselinoviqin. Kur ai u bw  njohur për herë të parë në publik, në vitin 2013, Vuçiq ende “nuk e njihte” apo nuk e përmendi atë, shkruan Danas.

Ndryshe, sipas të dhënave të Agjencisë për regjistrat e bizneseve, Radoiçiq ka 40 për qind të pronësisë në kompaninë Inkop, e cila, sipas BIRN-it, është një nga kontraktorët e Korridorit 11. 40 për qind tjetër është në pronësi të Zvonko Veselinoviqit dhe 20 për qind i takojnw vëllait tw tij, Zharko Veselinoviq.

Vuçiq e përmendi atë për herë të parë në shtator të vitit 2017, kur e cilësoi Radoiçiqin si një nga “gardianët e Serbisë në Kosovë”.

“Faleminderit që e keni mbrojtur Serbinë në Kosovë, sepse ata dhe fëmijët e tyre po e mbrojnë atë. Dhe Rakiqit, Jevtiqit dhe secilit prej tyre. Edhe Radoiçiq edhe Stojanoviq”, raportoi Insajderi serb në atë kohë.

Nga ana tjetër, në pjesën e intervistës që dha për BIRN-in, e cila u publikua pas vdekjes, Oliver Ivanoviq, lideri i Iniciativës Qytetare “Liri, Demokraci dhe Drejtësi”, e cilësoi Radoiçiqin si një nga qendrat kryesore të pushtetit në veri të Kosovës dhe shprehu shqetësimin e tij se Vuçiq e përmendi atë si gardian të Serbisë.

“Presidenti përmendi Milan Radoiçiqin, gjë që më shqetëson sinqerisht, më shqetëson tmerrësisht që e merr si shembull të një luftëtari për mbijetesën e serbëve në Kosovë”, tha Ivanoviq.

Një muaj pas vrasjes së Ivanoviqit dhe pesë muaj pasi ai tha se Radoiçiq po “mbronte Serbinë”,  Vuçiq pretendoi se nuk e njihte atë.

“Ka pasur një konflikt mes tij (Oliver Ivanoviq) dhe zotit Radoiçiq. Po, a është ky sekret për dikë? Meqë ra fjala, zoti Radoiçiq… nuk kam folur asnjëherë me të, ndoshta ka qenë në ndonjë takim ku kam qenë unë, as në telefon, as personalisht, që ta di se po flas me të. Ndoshta ka qenë në një takim në Kosovë që kam qenë unë”, ka thënë Vuçiq në emisionin “Çirilica” në televizionin Happy.

Vuçiq më pas shtoi se Radoiçiq ishte i vetëdijshëm se të gjithë do t’i drejtonin gishtin pas vrasjes së Ivanoviqit, sepse konflikti mes të dyve kishte ekzistuar që nga viti 2000.

Në qershor të vitit 2018 ai është emëruar nënkryetar i Listës Serbe. Ai mori pjesë në takimin e Vuçiqit dhe serbëve nga Kosova në Klubin e Deputetëve në Beograd më 22 nëntor 2018.

Sipas mediave ai ishte ulur në rreshtin e parë, pikërisht pranë kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq. Një ditë më vonë, më 23 nëntor, njësia speciale e Kosovës arrestoi katër persona në veri të Kosovës në lidhje me vrasjen e Ivanoviqit dhe, siç raportojnë mediat, po kërkonin edhe Radoiçiqin, i cili nuk u gjet në banesën e tij.

Dy ditë pas aksionit, më 25 nëntor, ai ka bërë një deklaratë në faqen e Listës Serbe në Facebook në të cilën ka thënë se nuk do të dorëzohet në policinë e Kosovës dhe se nuk ka lidhje me vrasjen e Ivanoviqit. Të nesërmen ai është marrë në pyetje nga policia serbe, raportojnë mediat.

Më 26 nëntor 2018, Vuçiq i tha RTS-së se Radoiçiq sigurisht nuk e ka vrarë Ivanoviqin dhe se ai “nuk ka marrë pjesë në organizimin, logjistikën, nxitjen” e vrasjes.

Në korrik të vitit 2019, prokurori i Kosovës Sylë Hoxha deklaroi se për Radoiçiqin ishte lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar dhe theksoi se ai dyshohet se ka ndihmuar dhe organizuar grupin për të vrarë Oliver Ivanoviqin, por edhe i dyshuar për krim të organizuar dhe trafik droge.

Nga ana tjetër, Vuçiq tha se Radoiçiq “nuk është lule”, por se ai “në asnjë mënyrë nuk ka marrë pjesë në vrasjen e Ivanoviqit”.

Për të vulosur një opinion kaq të mirë të Radoiçiqit, Vuçiq e sjell atë në Kuvendin e Serbisë në shkurt të vitit 2021, për të marrë pjesë në prezantimin e raportit të Vuçiqit për Kosovën. Fakti që i dyshuari për vrasjen e Oliver Ivanoviqit është ulur në Kuvendin e Serbisë, krah për krah me presidentin Vuçiq, është vlerësuar si tallje me ligjet dhe qytetarët e Serbisë.

“Siç kemi shkruar më herët, zyrtarisht dihet pak për të, dilema është nëse ai ka lindur në vitin 1978 në Gllogjan afër Deçanit, fshati i lindjes së Ramush Haradinajt, apo në Gjakovë, nga ku familja e tij u shpërngul në Vërnjaçka Banja në vitin 1999. Ai u shpërngul në pjesën veriore të Mitrovicës në vitin 2005 falë njohjes së tij me biznesmenin kontrovers vendas Zvonko Veselinoviq. Për shkak të biznesit të tyre të përbashkët, të dy u akuzuan për shpërdorim të pasurive të Hipo Alpe Adria Lizing, por u shpallën të pafajshëm në vitin 2016. Mediat pretendojnë se Radoiçiq ishte dënuar edhe më parë”, përfundon teksti i Danas. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat