Austria me “non-paper” propozon integrimin e përshpejtuar të Ballkanit Perëndimor

Lajme

Austria me “non-paper” propozon integrimin e përshpejtuar të Ballkanit Perëndimor

Më: 28 shtator 2023 Në ora: 13:44
Foto ilustrim

Ministrja austriake për Çështje Evropiane, Karoline Edtstadler dhe ministri i Jashtëm Alexander Schallenberg (të dy nga partia ÖVP) po duan të shtyjnë përpara integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Në një “non-paper” drejtuar Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell dhe Komisionerit për Zgjerim Oliver Varhelyi, ata kanë bërë disa propozime konkrete për integrimin e BP në BE. Zgjerimi është temë kryesore në agjendën e samitit joformal të javës së ardhme të krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së, ka raportuar transmetuesi publik nacional i Austrisë, ORF.

Çështja do të jetë temë kryesore edhe në takimin joformal të sotëm të ministrave të Këshillit për Çështje Evropiane në Murcia, Spanjë.

Ndërkaq ky “Non-Paper” specifikon propozime që tashmë janë paraqitur në majin e vitit 2022. Nga këndvështrimi i dy ministrave, kjo ka për qëllim përshpejtimin e procesit të stagnuar të zgjerimit. Në letrën e tyre, ata i bëjnë thirrje BE-së të caktojë “agjendë të qartë për integrim më të shpejtë nga 2024 e më tutje”.

Plan veprimi për të definuar hapat konkretë

Sipas kësaj draft-letre, një plan veprimi duhet të ofrojë hapa konkretë zbatues për integrimin gradual të shteteve të Ballkanit Perëndimor nga 2024 e më tutje. Mbështetja financiare duhet të bëhet më efikase nëpërmjet një sistemi të përmirësuar nxitjeje përgjatë linjave të planeve të rimëkëmbjes dhe elasticitetit. Për më tepër, shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të ftohen rregullisht për të marrë pjesë joformalisht në mbledhjet e Këshillit (të BE-së).

BE-ja aktualisht po zhvillon negociata pranimi me katër shtete të Ballkanit Perëndimor: me Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë Veriore dhe Serbinë. Deri më tani, Bosnja e Hercegovina ka vetëm status të vendit kandidat. Më së paku e avancuara në integrimin e BE-së është Kosova, e cila nuk njihet si shtet i pavarur nga pesë shtete anëtare të BE-së. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat