Çanak tronditë krerët politik serbë: Grupet kriminale u mbështetën nga qeveria e Serbisë

Lajme

Çanak tronditë krerët politik serbë: Grupet kriminale u mbështetën nga qeveria e Serbisë

Më: 28 shtator 2023 Në ora: 20:32
Nenad Çanak

Politikani socialdemokrat, Nenad Çanak, thotë se qeveria e Serbisë i ka mbështetur grupet kriminale që e sulmuan Policinë e Kosovës.

Mes tjerash, ai vlerëson se Lista Serbe duhet të shpallet organizatë terroriste nëse ata kanë qenë të përfshirë në këtë krim.

Në aksionin terrorist ku u sulmua Policia e Kosovës në fshatin Banjskë, ishte i përfshirë edhe nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq.

Pamjet e dronit tregojnë se Radojçiq së bashku me disa paramilitarë të tjerë ishin të armatosur me armë të gjata.

Politikani socialdemokrat, Nenad Çanak, thotë se duhet një hetim i plotë për ta kuptuar se çfarë lidhje ka Radojçiq me grupet e tjera kriminale.

Megjithatë, sipas tij, nuk ka dyshim se qeveria e Serbisë është e përfshirë në këtë sulm terrorist.

“Milan Radojçiq është pjesë e Listës Serbe, por gjithashtu duhet të hetohet se çfarë lidhje ka ai me grupet e tjera kriminale. Ai ishte aty së bashku me disa persona paramilitar të cilët planifikuan rebelim të armatosur. Tani nuk e dimë konkretisht se çfarë roli ka pasur Lista Serbe në këtë aksion, por një gjë është e sigurt se qeveria e Serbisë është e përfshirë në këtë ngjarje tragjike. A ka evidencë më të fortë se kur ata shpallën ditë zie për të vrarët”, tha politikani Nenad Çanak.

Çanak u pyet edhe për mundësitë që Lista Serbe të shpallet organizatë terroriste, meqë njëri nga figurat e kryesore të kësaj partie ka qenë i përfshirë në këtë ngjarje.

“Terrorizmi nuk duhet lejuar në asnjë formë dhe është shumë e rëndësishme që personat e përfshirë në këtë ngjarje të dënohen. Por e përsërisë se pa u bërë një hetim i plotë nuk duhet nxituar për ta shpallur Listën Serbe organizatë terroriste sepse do të ishte e rrezikshme. Pavarësisht që Radojçiq ishte i përfshirë në këtë aksion nuk do të thotë se të gjithë anëtaret e partisë janë me të. Por nëse vërtetohet se Lista Serbe ka pasur shumë ndikim në këto zhvillime, atëherë normalisht që duhet të shpallet organizatë terroriste”, u shpreh ai.

Ndërkohë, autoritetet në Serbi e kanë mohuar të kenë çfarëdo lidhje me grupet kriminale në veri, kurse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar që ta sanksionoj Serbinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat